Prej 18 vitesh Festim Rusi po vuan dënimin e tij për vepra të ndryshme penale, nga vrasje te pengmarrja e vjedhja. U arrestua në moshë të re në Itali, ku kreu 13 vite burg dhe më pas u transferuar në burgun në Shqipëri, ku është dënuar me 20 vite të tjera për një vrasje në Greqi.
Në një rrëfim ekskluziv për “Jetë Shqiptare” në RTSH, Festimi shprehet se kjo kohë e gjatë i ka shërbyer për të reflektuar dhe se kush ishin shkaqet që e çuan jo vetëm të gabonte, por ta përsëriste atë gabim.
Fajin e shikon tek injoranca dhe varfëria, që për të përbën një “bombë me sahat” që plas në momente të caktuar duke bërë më vonë njerëzit të pendohet. Një kritikë e ka pasur edhe për shoqërinë, ku sipas tij duhet të mundohet të kuptojnë këto personat që i futen rrugës së paligjshmërisë dhe t’i ndihmojnë për t’u rehabilituar.
“Jam arrestuar në 2006 në Itali dhe kam bërë 13 vite atje dhe po kryer këtu 20 vite të tjera për një vrasje në Greqi. Kam edhe 16 vite të tjera në Greqi për një cështje tjetër. Jam arrestuar 27 vjeç dhe sot jam 45 vjeç. Kam ndenjur gjatë vite në arrati kur më arrestuan në Itali. Në Itali jam dënuar për grabitje, pengmarrje, vjedhje etj. dhe në Shqipëri po vuaj vrasjen që bëra në Greqi, ku më dënuan në mungesë me 20 vite burg. Unë mendoj që njeriu po nuk gaboi nuk mëson, gabimet duhen. Gabimi është kur ti përsërit gabimin dhe nëse kjo ndodh atë person duhet ta ndihmosh pasi mund të jetë i sëmurë jo ta trajtosh keq. Të arrish ta kurosh dhe ta kuptosh ku e ka problemin. Njerëz jemi është moment. Janë shumë arsye ku një njeri bën një gabim të madh që është injoranca dhe varfëria dhe të dyja bëhen bashkë si bombë dhe plas, kjo shkatërron njerëzimin. Edhe mosha e re se nuk mendon dy herë, janë shumë gjëra që bëhen bashkë. Burgu të bën të reflektosh”, tha ai.
Edhe pse ende nuk e di se kur do të mbyllet dënimi i tij, Festimi ka gjetur terapinë për të lehtësuar shpirtin dhe mendjen e tij, atë të krijimit të objekteve të ndryshme, ku ka hapur edhe një ekspozitë në burgun ku vuan dënimin.
“Ndihesh keq kur rri kaq gjatë i mbyllur në burg dhe duhet të merresh me një aktivitet këtu në mënyrë që të mos humbasësh trurin. Kam nisur me gjëra të vogla, më ka tërhequr kjo gjë. Kjo është një aktivitet që ndihem mirë dhe harroj që jam në burg. Anijet janë specifikë që edhe vetë nuk e kuptoj, më tërheq shumë dhe ndihem shumë mirë kur i krijoj, mezi pres ta shikoj sesi ka dalë dhe lodhjen nuk e ndjej sepse pres përfundimin si do të dalë. 3 orë punoj në zyrat e burgut, kurse disa pjesë të vogla i bëj edhe në qeli pasi aty kaloj kohën më të gjatë. Institucioni është treguar shumë bashkëpunues dhe ka mbështetur idenë time për të hapur një ekspozitë dhe falënderoj. Punoj me disa të dënuar të tjerë që kanë të njëjtin pasion si unë”, tha Festimi.
Në mesazhin e tij, Festimi u bën thirrje të rinjve që të mos rrëmbehen nga gjaknxehtësia, vrulli i moshës dhe mungesa ekonomike, por të gjejmë rrugët e duhura për të bërë para dhe jo me paligjshmëri.
“Mesazhi im është që ata që janë në burg dhe ata që janë jashtë dhe ndihen më keq se sa ata që janë në burg, të mos mbyllen në vetvete. Kjo është e keqe dhe duhet të merreni me një pasion pasi është më e mirë se sa leku i lehtë dhe ndihen më mirë, të ndihmon të rritesh, të ecësh para, harron problemet dhe në fund ti shikon diçka që e bërë me duart e tua dhe ajo të jep kurajë të ecësh përpara”, tha ai.
I pyetur se si e ëndërron lirinë jashtë qelisë, Festimi shprehet se “lufta dhe urrejtja jashtë” me realitetin është i rëndë për të.
“Liria për mua është luftë nuk është jetë normale, shikoj jashtë urrejtje dhe këtë nuk e do askush”, tha ai.
/rtsh.al/