RTSH 24 Live

Aktualitet

Nis programi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në 5 qarqe, Kumbaro: Mbrojmë mjedisin

20/11/2024

Nis programi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në 5 qarqe, Kumbaro: Mbrojmë mjedisin

Qeveria Shqiptare, Banka Gjermane dhe Kooperacioni Zviceran nisin programin për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në 5 qarqe, Durrës, Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorë. Takimi u mbajt në Tiranë, ku ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, u shpreh se  përvoja pozitive e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me KfW në qarkun e Korçës, duhet të përhapet edhe në bashki të tjera .

"Programi “Menaxhimi i qëndrueshëm miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta” parashikon një investim që bëhet nga Banka Gjermane dhe Kooperacioni Zviceran SECO, bashkë me Agjencinë Franceze për Zhvillim me të cilën kemi një tjetër program për ekonominë qarkulluese nga programet IPA të BE për të mbuluar me infrastrukturë qarkun e Kukësit dhe qarkun e Gjirokastrës. Ndërkohë që sot kemi pesë zona të tjera të menaxhimit të mbetjeve që do të mbulojmë me programin SECO dhe KfW: Durrës, Dibër, Korçë, Berat dhe një pjesë të Vlorës veriore", u shpreh ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha gjithashtu se menaxhimi efektiv i mbetjeve, para së gjithash është një revolucion social e kulturor.

"Ne sot betejën e kemi me standardet, të cilat nuk arrihen as duke ndërtuar një agjenci, as duke pasur një drejtor, ekip apo duke marrë një kredi, por duke punuar me të gjithë shoqërinë dhe me të gjithë hallkat. Ndërkohë, krenohemi me shifrat, por sa më shumë shtohen turistët, aq më shumë shtohet problemi i menaxhimit të mbetjeve në territor. Një territor i pastër nuk mund të jetë me kosha të zbrazur dhe plehra të shpërndara. Territori o është i pastër, o nuk është i pastër. Pastërtia, mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve, në radhë të parë është një revolucion. Një revolucion komunikimi, një revolucion social, një revolucion kulturor. Sot mblidhen mbi 85% të mbetjeve urbane", vazhdoi ministrja Kumbaro.

Ky program prej 66 milionë euro siguron investime të rëndësishme në infrastrukturën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në Durrës, Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorën-Veriore që nga landfillet e mbetjeve urbane sipas standardeve europiane, landfille për mbetjet inerte, stacione transferimi, impiante të ndarjes së mbetjeve, qendra kompostimi apo investime në makineri për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve me objektivin për të reduktuar me 20% sasinë e mbetjeve në pikat fundore falë proceseve të riciklimit.

/rtsh.al/