RTSH 24 Live

Politikë

Niko Peleshi: Industria jonë ushtarake ka nevojë për investitorët privatë, presim ofertat

17/04/2024

Niko Peleshi: Industria jonë ushtarake ka nevojë për investitorët privatë, presim ofertat

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka bërë të ditur se qeveria do të japë te privatët kombinatet dhe uzinat e dikurshme ushtarake.

Sipas Peleshit, janë të mirëpritur si investitorë të huaj ashtu edhe ata vendas. Ndërsa theksoi se rivitalizimi i industrisë ushtarake shqiptare vjen si nevojë e kërkesës për municione nga shtimi i konflikteve në botë.

Duke folur pas mbledhjes së qeverisë mbi projektligjin për shpërblimin me paga dhe sigurime shoqërore të 120 ish-punonjësve në këtë industri, Peleshi theksoi se me krijimin e shoqërive aksionere do të jenë këto të fundit që do të paguajnë pagat dhe detyrimet e tjera dhe nuk do të rrjedhin nga buxheti i shtetit.

Keni dëgjuar për fat të keq për kërkesa të shumta për municione dhe armatime. Shqipëria është nga vendet e pakta në Evropë që e ka të fjetur industrinë e vet ushtarake të dikurshme.

Ka nevojë për investime nga investitorët privatë, jo nga shteti, sepse ne jemi në proces që të marrë një trajtë më komerciale dhe ne jemi të hapur në pritje të ofertave të ndryshme nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, por pse jo edhe sipërmarrëse vendase për ta riaktivizuar apo për ta vënë në punë apo për të zhvilluar industri të reja ushtarake.

Ky projektligj që u miratua sot do të marrë rrugën e vet për të shkuar drejt seancës parlamentare, ku do të miratohet. Shoqëritë aksionere këto detyrime duhet t’i paguajnë vetë dhe duhet të dalin me fitim e nuk duhet të krijojnë borxhe, por edhe nëse krijojnë detyrime nuk është buxheti i shtetit ai që i paguan”, tha Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes theksoi ndër të tjera se vlera e shpërblimit dhe të sigurimeve shoqërore për 120 ish-punonjësit, ndërsa theksoi se ka pasur interesime të kompanive dhe investitorëve të huaj për të ringritur kombinatet dhe uzinat ushtarake.

Vlera është mbi 83 milionë lekë të reja, janë mbi 120 ish-punonjës që përfitojnë në pagesat e detyrimeve, pagat dhe sigurimet shoqërore sepse këto ndërmarrje mund të kenë detyrime ndaj të tretëve. Kemi marrë përsipër përmes një projektligji për pagimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore të prapambetura.

Kur flasim për ish-industrinë tonë ushtarake, kemi kombinatin e Poliçanit, kemi uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit dhe kombinatin e Gramshit.

Poliçani nuk ka aktivitet, ndërsa Mjekësi dhe Gramshi kanë një aktivitet që lidhet me demontimin dhe sigurojnë disa të ardhura për veten e tyre. Po kemi pasur interesime nga investitorë dhe kompani të huaja që kanë ardhur dhe kanë vizituar dhe kanë parë potencialet e mundshme. Ne duam të ndryshojmë qasjen nga Shqipëria 1 euro te Shqipëria partnere në çdo investim të përbashkët”, u shpreh më tej Peleshi.

/rtsh.al/