RTSH 24 Live

Aktualitet

Nga 1 tetori dyfishohet ndihma ekonomike për disa kategori! Rritet me 1 mijë lekë mbështetja për personat me aftësi të kufizuar

22/09/2022

Nga 1 tetori dyfishohet ndihma ekonomike për disa kategori! Rritet me 1 mijë lekë mbështetja për personat me aftësi të kufizuar

Qeveria ka marrë disa vendime të rëndësishme, një prej të cilëve është dyfishimi i ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë, për familjet me më shumë se 3 fëmijë dhe të moshuarit që janë pa pension. Lajmi është bërë me dije në një komunikim për media nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Kemi miratuar disa vendime të rëndësishme. Vendimi i qeverisë që miratuam sot ka përcaktuar se nga data 1 tetor rritet me 10% masa e pagesës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet përfituese nga programi i asistencës sociale. Nga 1 tetori do të dyfishohet masa e pagesës për ndihma ekonomike për familjet që kanë dy fëmijë dhe janë pjesë e ndihmës familjare që janë 5700 gra kryefamiljare me dy fëmijë. Përsa i përkte familjeve që janë përfituese të ndihmës ekonomike me 3 + fëmijë ne kemi bërë dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike duke filluar nga 1 janari.

Kemi vendosur të dyfishojmë gjithashtu pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit që janë pa pension social dhe janë pjesë e mbështetjes nëpërmjet skemës së ndihmës ekonomike, që janë më shumë se 5300 të moshuar. Dua të ndalem në këtë mbështetje që qeveria po jep për skemën e ndihmës ekonomike për përfituesit e saj janë mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga këto masa. Është mbështetje e qëndrueshme dhe afatgjatë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi gjithashtu se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u vendos rritja e mbështetjes me 1 mijë lekë për energjinë elektrike për personat me aftësi të kufizuar.

“Pas indeksimit me 7.5% për programin e pagesave të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar që janë pjesë e mbështetjes sonë që janë rreth 90 mijë që iu është indeksuar me 7.5 % masa e mbështetjes për përfitimin që ata marrin. Do mbështeten për energjinë elektrike personat të cilët kanë status me aftësi të kufizuar, të cilëve u rritet masa e mbështetjes për energjinë elektrike. Kjo masë mbështetje për personat me aftësi të kufizuar para dhe tetraplegjike që e kanë masën e mbështetjes nga statusi dhe për personat e verbër të kategorisë së parë, kjo masë shkon nga 2000 mijë lekë në 3000 mijë lekë. Ndërsa personat të cilët kanë status të verbër të kategorisë së dytë nga 1400 lekë të reja që është sot shkon në 2400 lekë të reja. Nga kjo mbështetje përfitojnë mbi 12 mijë persona”, tha Manastirliu.

/rtsh.al/