RTSH 24 Live

Botë

Netanjahu takon ish-presidentin Tramp, i siguron paqen në Lindjen e Mesme nëse do fitojë zgjedhjet

27/07/2024

Netanjahu takon ish-presidentin Tramp, i siguron paqen në Lindjen e Mesme nëse do fitojë zgjedhjet

Ish-presidenti amerikan Donald Trump pasi priti kryeministrin izraelit në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida u tha gazetarëve se me Netanyahun kanë një marrëdhënie shumë të mirë. Ky ishte takimi i tyre i parë pas 4 vitesh mes tyre dhe vjen pasi Netanyahu iu drejtua më herët Kongresit dhe u takua me Presidentin Joe Biden dhe Zëvendëspresidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë. Netanyahu u tha gazetarëve se ai shpresonte se vizitae tij në SHBA do të çonte në arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve, ndërsa i tregoi Trumpit një foto të një fëmije që u mor peng nga militantët e Hamasit më 7 tetor.

"Ne do të kujdesemi për të," - siguroi Trump kryeministrin izraelit. Fushata e kandidatit republikan tha në një deklaratë se ish-presidenti u zotua se kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, do të bëjë çdo përpjekje për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme dhe për të luftuar antisemitizmin të përhapur në të gjithë kampuset e kolegjeve në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një fjalimi, Trump komentoi luftën në Ukrainë dhe sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Ai tha se asnjë luftë nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte President, ndërsa kritikoi rivalen e tij të mundshme demokrate Kamala  Harris, pasi ajo shprehu shqetësimin për ndikimin e luftës së Izraelit kundër Hamasit mbi civilët palestinezë në Gaza.

“Ajo nuk i pëlqen hebrenjtë dhe as Izraelin”, u shpreh Trump. Izraeli dhe Hamasi janë në luftë që nga 7 tetori 2023 , kur grupi militant islamik sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë, Më shumë se 39 mijë palestinezë janë vrarë në konflikt, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit të Gazës.

/RTSH/