RTSH 24 Live

Botë

Netanjahu: Hamasi s’do të sundojë dot më në Rripin e Gazës

19/11/2024

Netanjahu: Hamasi s’do të sundojë dot më në Rripin e Gazës

Kryeministri Benjamin Netanjahu ka deklaruar se Hamasi nuk do të sundojë dot Rripin e Gazës dhe se kushdo që dëmton pengjet izraelite do të paguajë një çmim të rëndë.

Gjatë vizitës së tij në Gazën qendrore, Netanjahu tha se trupat e IDF në Gazë kanë “arritur rezultate të shkëlqyera drejt qëllimit tonë të rëndësishëm – që Hamasi të mos sundojë në Gazë. Ne po shkatërrojmë aftësitë e tij ushtarake dhe po kalojmë në aftësitë e tij qeverisëse… Hamasi nuk do të jetë në Gazë”

Netanjahu vizitoi zonën së bashku me ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, shefin e IDF-së, gjenerallejtënant Herzi Halevi dhe kreun e Shin Bet, Ronen Bar.

Kryeministri thotë se Izraeli po bën gjithçka që mundet për të rikthyer pengjet, “dhe ne nuk po heqim dorë. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të arrijmë të gjithë – si të gjallët ashtu edhe të vdekurit.”

Duke iu drejtuar “atyre që po mbajnë pengjet tona”, Netanyahu tha se “kushdo që guxon të dëmtojë pengjet tona – do të mbajë përgjegjësi”

Ai përsërit gjithashtu ofertën e tij për të siguruar 5 milionë dollarë për këdo në Gazë që dorëzon një peng në Izrael: “Zgjedhja është në duart tuaja, por rezultati do të jetë i njëjtë. Ne do t'i sjellim të gjithë në shtëpi”.

/rtsh.al/