Është nënshkruar këtë të hënë (20 nëntor) “Pakti Kombëtar Kundër Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve në Shqipëri”.
Pakti u nënshkrua nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Minstrja e Arsimit dhe Sportit , Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.
“Jemi sot këtu, katër ministrat për të bashkuar bashkë me shoqërinë civile angazhimin me qëllim mbrojtjen dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve.
Sikurse jeni në dijeni në fillim të këtij viti të ri shkollor, kemi shpallur një paketë të re masash e cila përmblidhet në Paketën e Sigurisë në Shkolla për garantimin dhe rritjen e sigurisë në shkolla. Ndihem krenar për çfarë kemi arritur së bashku për rezultatet e kësaj pakete. Por ky është vetëm fillimi i një pune të përditshme”, tha Balla.
Ministri bëri me dije se shihet mundësia për të përfshirë brenda paketës së sigurisë në shkolla, garantimin e internetit të sigurt.
"Mbetet e rëndësishme që të zbulohet dhe të ndalet çdo lloj abuzimi dhe t’i ofrohet ndihmë kujtdo që bie pre e dhunës seksuale. Parandalimi kërkon sensibilizimin e të gjitha palëve të interesuara. Na duhet të fuqizojmë fëmijët mbi përdorimin e sigurt të teknologjive të reja duke përdorur linja telefonike të sigurta.
Po vlerësojmë mundësinë për të përfshirë brenda paketës së sigurisë në shkolla, garantimin e internetit të sigurt", tha ministri.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit u shpreh se Pjesë e Reformës në Arsimin Parashkollor, do të jetë edhe vlerësimi periodik psiko-social, jo vetëm për mësuesit, por edhe për edukatoret e çerdheve dhe kopshteve.
“Ky pakt është i një rëndësisë të veçantë, pasi bëhet fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve, që janë të parët në politikat tona. Ne jemi të angazhuar të forcojmë mekanizmat e parandalimit dhe sinjalizimit të hershëm, si forma më e mirë për reduktimin, deri në eleminim të çdo forme të dhunës ndaj fëmijëve”, tha Manastirliu.
Duke folur për reformën e re të saposhpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në arsimin parashkollor, Manastirliu u shpreh:
“Reforma në arsimin parashkollor që kemi shpallur, do të prekë të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe edukimin në fëmijërinë e hershme. Do të rishikohet jo vetëm paketa e akteve ligjore e nënligjore, jo vetëm zgjerimi dhe forcimi i mekanizmave të inspektimit periodik, duke përdorur edhe teknologjinë, por do të bëhet edhe vlerësimi periodik psiko-social, jo vetëm për mësuesit por edhe për edukatoret e çerdheve dhe kopshteve”.
Ministrja Manastirliu e vuri theksin gjithashtu tek rëndësia e bashkëpunimit për rritjen e sigurisë kibernetike, si dhe tek mbështetja për punonjësit psiko-socialë dhe punonjësit e sigurisë në shkolla, e cila do të vijojë edhe me buxhetin 2024, për të garantuar më shumë siguri dhe mbrojtje të fëmijëve në sistemin arsimor.
Pakti i firmosur sot parashikon forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit, për të luftuar dhe mbrojtur fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe e shfrytëzimit seksual, bullizmit, manipulimit dhe nxitjes për përdorimin e substancave, si dhe gjuhës së urrejtjes në internet dhe në jetën reale.
Në këtë Pakt, parashikohet raportimi i çdo incidenti dhe faqeje të rrezikshme për fëmijët pranë linjës kombëtare për internet të sigurt në Shqipëri – iSIGURT.AL/ ALO 116-111; rritja e ndërgjegjësimit përmes nismave dhe fushatave konkrete për informimin dhe edukimin për të drejtat dhe për mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo forme të dhunës si dhe përmirësimi i politikave, standardeve, protokolleve dhe planeve konkrete të veprimit për mbrojtjen e fëmijëve.
/rtsh.al/