RTSH 24 Live

Sociale

Në Durrësin e rindërtuar

25/11/2021

Në Durrësin e rindërtuar

Dy vjet pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, Durrësit nuk i janë zhdukur akoma shenjat e asaj ngjarje të rëndë. Edhe pse qyteti është kthyer në një kantier ndërtimi, problemet nuk janë të pakta. Kjo gjë pranohet edhe nga numri një i bashkisë së Durrësit, kryetarja në detyrë Emiriana Sako. Duke pasur parasysh problematikën e ndërtimeve si dhe duke parë atë që ka ndodhur me raste të ngjashme në vende fqinje, kryebashkiakja Sako shprehet megjithatë se programi i rindërtimit ka ecur mirë në këto 2 vite. 


Ajo thotë se fillimisht u punua për rinkostruksionin e hapësirave të përbashkëta në pallate, ndërkohë që 214 banesa individuale në gjithë territorin e bashkisë kanë përfunduar duke rikthyer në banesat e tyre afro 4 mijë familje. "Blloqe të reja banimi po ndërtohen aktualisht në njësinë administrative të Manzës dhe në Spitallë.  Në Manzë po ndërtohen 6 pallate të reja, në 2 prej të cilëve është hedhur edhe shorti për ndarjen e apartamenteve, të cilët pritet të përfundojnë në marsin e vitit të ardhshëm" thotë Sako.

Bashkia e Durrësit përfitoi edhe rindërtimin nga e para të 31 objekteve arsimore, të tilla si shkolla, konvikte dhe kopshte. 14 prej tyre janë dorëzuar tashmë, ndërsa 17 të tjera janë duke kryer procedurat për nisjen e punimeve. Këto të fundit do të financohen me fonde të fondit shqiptar të zhvillimit dhe UNDP.
 "Aktualisht puna më e madhe është përqendruar në riforcimin e pallateve me dëmtime DS4, aty ku edhe janë shfaqur problematikat më të shumta" thotë Sako. E pyetur nëse është e kënaqur me atë se çfare ka ndodhur në këto 2 vite për riparimin e dëmeve që u shkaktuan nga tërmeti i 26 nëntorit, Emiriana Sako shprehet se po, duke shtuar se me volumin e ndërtimeve që po kryhen aktualisht është njëlloj sikur të ndërtohet një qytet i ri nga e para.