RTSH 24 Live

Sociale

Udhëzimi- Qeveria përcakton procedurat e pranimit, pezullimit dhe largimit të mësuesit nga një vend pune

07/05/2024

Udhëzimi- Qeveria përcakton procedurat e pranimit, pezullimit dhe largimit të mësuesit nga një vend pune

Qeveria publikoi të martën udhëzimin që rregullon procedurat e pranimit, pezullimit dhe largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Sipas këtij udhëzimi, shpallja e vendeve të punës, konkurrimi, renditja e kandidatëve, si dhe emërimi në një vend të lirë pune realizohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, i cili krijohet për punësimin e mësuesve në arsimin parauniversitar, në bazë merite, duke siguruar transparencë, efikasitet dhe shanse të barabarta.

“Thirrja për konkurrim shpallet sipas profileve lëndore për mësuesit, sipas zyrave vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP). Procesi i konkurrimit për mësuesit, zhvillohet për: a) kandidatin që plotëson kriteret e përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për ushtrimin e profesionit të mësuesit; b) kandidatin që ka marrë pjesë në portalin “Mësues për Shqipërinë” të thirrjes paraardhëse dhe që dëshiron të përmirësojnë rezultatin e tij; c) kandidatin që kryen provimin e licencimit, e kalon me sukses këtë provim dhe zgjedh që në të njëjtën ditë të kryejë edhe testimin e informatizuar për të konkurruar për pjesëmarrje në portalin “Mësues për Shqipërinë”.”, thuhet në udhëzim.

AKAP-ja ka detyrimin të publikojë në portalin “Mësues për Shqipërinë” përgjatë të gjithë vitit, vendet e lira të punës për çdo institucion arsimor parauniversitar publik, si dhe listën e punësimeve të kryera në muajin paraardhës, brenda 5 ditëve të para të çdo muaji.

Vendet e lira të punës që krijohen për shkak të mbushjes së moshës për pension pleqërie, publikohen 15 ditë përpara datës së daljes në pension të mësuesit.

Shpallja e konkurrimit

AKAP-ja/DRAP-ja publikojnë në faqet e tyre zyrtare, shpalljen për konkurrim në portalin “Mësues për Shqipërinë”, e cila do të përmbajë këto të dhëna: a) profilet lëndore për të cilat do të zhvillohet konkurrimi, si dhe dokumentet që do të vlerësohen në konkurrim; b) fazat në të cilat do të kalojë konkurrimi, vlerësimi i dosjes dhe testimi i informatizuar; c) dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyrën e dorëzimit të tyre; d) datën e daljes së rezultateve për fazën e vlerësimit paraprak dhe përfundimtar të kandidatëve; e) mënyrën e vlerësimit të kandidatëve për të gjitha fazat e konkurrimit; f) mënyrën e njoftimit dhe komunikimit me kandidatët.

Regjistrimi kandidatëve

Regjistrimi i kandidatëve bëhet në e-albania, në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Afati për kryerjen e aplikimit dhe ngarkimit të dokumentacionit është 15 ditë nga data e shpalljes.

Kandidati që zhvillon provimin e licencimit në QSHA dhe e kalon atë me sukses, ka të drejtë që në të njëjtën ditë të marrë pjesë edhe në testimin e informatizuar për të konkurruar për pjesëmarrje në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

“Kandidati që nuk zgjedh të marrë pjesë në testimin e informatizuar në të njëjtën ditë në të cilën jep provimin e licencimit, për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit, i nënshtrohet procedurave të konkurrimit sipas rregullave të parashikuara në këtë udhëzim në rast të konkurrimit në portal në thirrjen e radhës”, thuhet në udhëzim.  

Procedurat e zgjedhjes së vendit të punës

ZVAP-ja identifikon vendet e lira të punës që krijohen në institucionet arsimore në varësi dhe i dërgon në DRAP me email dhe me shkresë zyrtare.

Vendet e lira të punës që krijohen në fillim të vitit shkollor dërgohen në DRAP, jo më vonë se 7 ditë nga fillimi i vitit shkollor, ndërsa gjatë vitit shkollor dërgohen menjëherë.

DRAP-ja raporton vendet e lira të punës në AKAP, e cila i shpall ato në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

“Vend i lirë pune do të konsiderohet çdo ngarkesë mësimore, sipas udhëzimit përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin, pavarësisht nëse është në një apo në disa institucione arsimore parauniversitare. Në rast se ngarkesa mësimore është në disa institucione arsimore parauniversitare, mësuesi punësohet në institucionin arsimor ku ka më shumë ngarkesë mësimore.”, thuhet në udhëzimin e ministrisë së Arsimit.

Për vendet e lira të punës për çdo ZVAP, kandidati njoftohet nga KVD-ja në DRAP, në varësinë e të cilit është vendi i lirë i punës. Njoftimi bëhet përmes postës elektronike, të cilën kandidati e ka deklaruar gjatë aplikimit online.

Kandidati i cili është renditur me numrin më të madh të pikëve në profilin që ka konkurruar, ka të drejtën të zgjedh i pari vendin e lirë të punës. Kandidati që nuk paraqitet në thirrjen e organizuar dhe njoftuar përmes postës elektronike nga DRAPja ose e refuzon vendin e lirë të punës, mbetet në listën e pritjes me të njëjtat pikë, për një periudhë deri në 2 vite.

“Kur dy kandidatë kanë pikë të barabarta, përzgjedhja e vendit të punës bëhet nga kandidati që i përket kategorisë së personave me aftësi të kufizuara (AK) nëse ka të tillë, nëse nuk ka persona me AK, vendi i punës i ofrohet kandidatit që ka pikët më të larta në testimin e informatizuar. Nëse dhe në testimin e informatizuar i kanë pikët e barabarta, përzgjedhja bëhet me short. Kandidati fitues që përzgjedh vendin e punës, pajiset nga DRAP-ja me dokumentin vërtetues për pozicionin e pranuar dhe paraqitet pranë institucionit arsimor parauniversitar, për të lidhur kontratën e punës.  Kandidati që përzgjedh vendin e punës dhe punësohet nga institucioni arsimor parauniversitar, me kontratë pune individuale me afat të pacaktuar, hiqet nga lista e portalit “Mësues për Shqipërinë”, përcakton udhëzimi.

Kandidati fitues

Kandidati fitues punësohet nga drejtori i institucionit arsimor parauniversitar me kontratë pune individuale me afat të pacaktuar, pas kalimit me sukses të periudhës tremujore të provës dhe të vlerësimit pozitiv nga Komisioni për Vlerësimin Psiko-social të Punonjësve Arsimorë dhe punonjësve të tjerë, në institucionet arsimore parauniversitare.

Kandidati, i cili ka përzgjedhur një vend pune si zëvendësues në profilin përkatës (leje barrëlindjeje, pezullime etj.), qëndron në atë pozicion deri në përfundimin e kontratës së përkohshme të punës dhe me përfundimin e saj rikthehet në portal, në përputhje me pikët e fituara.

Për institucionet arsimore parauniversitare të arsimit të orientuar, në profilet e artit pamor dhe muzikës, si dhe në lëndët e specialiteteve, punësohen kandidatë nga portali, diplomimi i të cilëve përputhet me kërkesën për vendin e lirë të punës.

Këta mësues mund të punësohen edhe në arsimin e mesëm të ulët për lëndët e artit pamor dhe muzikës, sipas renditjes së përgjithshme, me kontrata pune të përkohshme.

Të gjithë kandidatët e punësuar, në mungesë të kandidatëve nga portali të profilit përkatës, emërohen me kontratë të përkohshme pune, deri në emërimin e një kandidati të profilit përkatës nga portali.

/rtsh.al/