RTSH 24 Live

Film

Ndahet nga jeta Methju Peri, aktori i famshëm i komedisë "Shokët"

29/10/2023

Ndahet nga jeta Methju Peri, aktori i famshëm i komedisë "Shokët"

Aktori Methju Peri (o. Matthew Perry), i cili mori famë në vitet 1990 duke luajtur personazhin e Çendler Bingut në komedinë amerikane "Shokët" (o. "Friends"), ndërroi jetë të shtunën në moshën 54 vjeç.

Vdekja e tij u konfirmua nga televizioni "NBC", i cili transmetoi serialin "Shokët" për 10 vjet nga viti 1994 deri në 2004-ën.

"Ai u solli kaq shumë gëzim qindra miliona njerëzve në mbarë botën me ritmin e përsosur prej komediani dhe me zgjuarsinë e tij. Trashëgimia e tij do t'u kalojë brezave të panumërt," njoftoi "NBC" në rrjetin social X.

Sipas medieve amerikane, artisti amerikano-kanadez u gjet i vdekur në një vaskë në shtëpinë e tij në Los Anxheles.

Në serialin jashtëzakonisht të suksesshëm, "Shokët", Peri në rolin e Çendlerit luajti përkrah pesë personazheve të tjerë, të cilët banonin në apartamentet e njëri-tjetrit dhe takoheshin për kafe në "Central Perk", një kafene në Manhatan, Nju-Jork.

Një nga linjat kryesore të historisë përfshinte një romancë midis Çendlerit dhe Monika Gellerit, personazhi i luajtur nga Kortni Koks (o. Courteney Cox), të cilët edhe u martuan bashkë. Të gjashtë aktorët u rikthyen 17 vjet më pas në një serial special që u transmetua në vitin 2021.

Për disa vite aktori i ndjerë, Peri, u fsheh nga publiku duke luftuar varësinë e tij ndaj ilaçeve dhe alkoolit, sfidë që e detajoi edhe në romanin e tij memuaristik të vitit 2022, "Shokët, të dashuruarit dhe gjëja më e tmerrshme".

Aktori i lindur në Masaçusets u rrit në Otavë pasi nëna e tij, një gazetare kanadeze që dikur shërbeu si sekretare për shtyp për ish-kryeministrin Pier Trudo (o. Pierre Trudeau), u divorcua nga babai i Perit dhe u martua me një prezantues kanadez.

Djali i Trudosë dhe kryeministri aktual kanadez, Xhastin Trudo (o. Justin Trudeau) thanë se ndjehen "të tronditur dhe pikëlluar" nga vdekje e Perit.

"Nuk do t'i harroj kurrë lojërat që kemi bërë bashkë në oborrin e shkollës dhe unë e di se njerëzit në mbarë botën nuk do ta harrojnë kurrë gëzimin që ai u solli," shkroi Trudoja në rrjetin X. /Reuters

/rtsh.al/