RTSH 24 Live

Botë

NATO të kalojë vijat e kuqe të Moskës, Estonia kërkon që aleanca të fokusohet në mposhtjen e Rusisë në Ukrainë

17/09/2024

NATO të kalojë vijat e kuqe të Moskës, Estonia kërkon që aleanca të fokusohet në mposhtjen e Rusisë në Ukrainë

Aleatët e NATO-s duhet t'i kushtojnë më pak vëmendje të ashtuquajturave vija të kuqe të Vladimir Putinit dhe të fokusohen më shumë në mposhtjen e Rusisë në Ukrainë. Deklarata u bë nga presidenti i Estonisë gjatë një konference në Kiev. Ai mbështeti thirrjet e Zelenskyt për të lejuar Ukrainën që të godasë brenda territorit rus duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi të ofruara nga Perëndimi.

“Mbase duhet kuptuar se duhet të kalojmë të gjitha këto vija të kuqe dhe më pas të fillojmë ta detyrojmë Rusinë të largohet nga Ukraina” - tha presidenti i Estonisë. Më herët edhe Sekretari në largim i NATO-s Jens Stoltenberg tha se vendet anëtare duhet ta vendosin vetë nëse Ukraina mund t’i përdorë armët e tyre me rreze të gjatë veprimi brenda territorit rus. 

Rusia thotë se forcat e saj kanë rimarrë dy fshatra në rajonin e saj Kursk, si pjesë e një kundërofensive ndaj operacionit të papritur të Ukrainës. Kievi thotë se kontrollon rreth 100 fshatra në rajonin rus Kursk, me një sipërfaqe prej më shumë se 1300 km katrorë, të dhëna që rusët i kundërshtojnë.

Përditësimet e fundit nga ky rajon erdhën pasi presidenti Vladimir Putin nxori një dekret të ri për zgjerimin e ushtrisë ruse për të tretën herë që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sipas urdhrit të shefit të Kremlinit, ushtrisë ruse pritet t’i shtohen 180 mijë trupa të tjera, duke e çuar numrin e saj në 1.5 milionë ushtarë aktivë.

/RTSH/