RTSH 24 Live

Botë

Mosmarrëveshjet Poloni-Ukrainë për grurin, kryeminsitrat e dy vendeve takohen në Varshavë

28/03/2024

Mosmarrëveshjet Poloni-Ukrainë për grurin, kryeminsitrat e dy vendeve takohen në Varshavë

Kryeministri polak Donald Tusk u shpreh të enjten se Varshava dhe Kievi kishin arritur progres në bisedimet që po mbajnë në lidhje me mosmarrëveshjet për importet agro-bujqësore ukrainase që kanë shkaktuar protesta të fermerëve polakë.

“Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje të mira për të dy palët dhe kemi ndërmarrë një hap para”, u shpreh Tusk për gazetarët pasi bisedoi me homologun e tij ukrainas  në Varshavë.  Prej kohësh mes dy vendeve janë mbajtur bisedime të nivelit më të ulët, por pa arritur rezultat.  Në kundërpërgjigje të agresionit rus dhe bllokadës së tregtisë ukrainase përmes detit, bashkimi evropian vendosi që në mënyrë ë përkohshme të liberalizonte tregtinë me Ukrainën.

Përveç se të ndihmohej Ukraina, vendimi synonte edhe sigurimin e furnizimit me produkte agro-bujqësore të vendeve të treta që tradicionalisht kanë importuar drithëra nga Ukraina. Si rezultat, në qershor të të njëjtit vit,  Ukraina mund të eksportonte drithërat e saj pa pengesa në Poloni.  Si pasojë, tregu vendas polak u mbush me grurë ukrainas.

E ndërsa çmimet e grurit në botë u rritën ndjeshëm në verën e 2022it, shumë fermerë polakë vendosën që përkohësisht të ndalonin shitjen e produkteve të tyre agro-bujqësore, çka çoi në një deficit të përkohshëm në tregun vendas dhe bëri që kompanitë polake të fillonin të blinin grurë nga Ukraina. 

Por kur në 2023-in, çmimet e grurit u kthyen në nivelet para pushtimit rus, dhe vijuan të shënonin ulje, fermerët polakë, të cilët I kishin magazinat plot nga të korrat e një viti më parë, filluan të protestonin kundër importeve ukrainase. Për më tepër në prill të 2023-it në Poloni shpërtheu një skandal për grurin që vinte nga Ukraina që nuk ishte për konsum por për qëllime të tjera, i cili në disa raste ishte shitur si ushqim.

Mediat polake gjithashtu raportuan se autoritetet e vendit kishin gjetur ndotës të ndaluar në 35 për qind të grurit ukrainas. Si rezultat, publiku polak e konsideron këtë grurë të një cilësie të dobët si dhe të dëmshëm. Si pasojë , qeveria polake vendosi një ndalesë ndaj eksporteve të tij në Poloni, dhe lejoi vetëm kalim transit në territorin e vendit.

Gazetare: E. Pepa

/RTSH/