Sulmi në Zubin-Potok ka qenë në fokus të fjalës së ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë konferencës së përbashkët të mbajtur me ndihmëssekretaren amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë, Celeste Wallander, në përfundim të Ministrierialit SHBA-Karta e Adriatikut (A-5) në Tiranë.
Vengu përsëriti qëndrimin për dënimin e sulmit dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve.
Ai shtoi se gjatë takimit të mbajtur me Wallander, një tjetër çështje në të cilën u ndalën ishte dhe rijetëzimi i Kartës së Adriatikut. Në këtë kuadër, Vengu theksoi se prioritet absolut mbetet anëtarësimi i Kosovës.
“Theksuam relevancën e kartës së Adriatikut dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në rajonin tonë.
Shqyrtuam një sërë rreziqesh dhe sfidash me karakter hibrid. Një vëmendje të shtuar mori sulmi në Zubin Potok. Përsëris solidaritetin me shtetin e Kosovës. Të gjitha vendet dënuan këtë sulm të rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe kërkuan sjelljen e përgjegjëseve para drejtësisë.
Patëm një konvergjencë për rienergjizimin e kartës së Adriatikut.
Të përpiqemi të rijetëzojmë kartën e Adriatikut si mekanizëm për të çuar para politikën e dyve të hapura të kartës dhe anëtarësimi i Kosovës mbetet për ne prioritet absolut”, u shpreh Vengu.
/rtsh.al/