RTSH 24 Live

Botë

Ministri Kuleba: Perëndimi duhet të forcojë mbrojtjen, epoka e paqes në Evropë ka përfunduar

24/04/2024

Ministri Kuleba: Perëndimi duhet të forcojë mbrojtjen, epoka e paqes në Evropë ka përfunduar

Epoka e paqes në Evropë ka përfunduar”, kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba.

Ky i fundit u shpreh perëndimi duhet të rrisë prodhimin e armëve.

“Kur shoh atë që Rusia ka arritur në ndërtimin e bazës industriale të mbrojtjes në dy vitet e luftës dhe atë që ka arritur perëndimi, mendoj se diçka nuk është në rregull nga ana e perëndimit. Perëndimi duhet të kuptojë se epoka e paqes në Evropë ka përfunduar”, tha Kuleba.

Teksa përgëzoi miratimin e paketës së ndihmës ushtarake prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, Kuleba u shpreh se kjo paketë është e vonuar.

Ai paralajmëroi se furnizimet e reja, nuk do e kthenin valën në fushën e betejës.

"Haleluja. Kisha besim se do të kishim një rezultat pozitiv ", tha Kuleba.

Ky i fundit theksoi më tej se rivendosja e ndihmës ushtarake amerikane, e mbajtur me muaj nga republikanët e lidhur me Donald Tramp (Trump), nuk do të mjaftonte për të mposhtur Rusinë. “Asnjë paketë e vetme nuk mund të ndalojë rusët. Ajo që do t'i ndalojë rusët është një front i bashkuar i të gjithë Ukrainës dhe të gjithë partnerëve të saj”, u shpreh ai.

Kuleba tha gjithashtu se Ukraina kishte identifikuar shtatë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot që mund të përdorte për të mbrojtur civilët në qytetet e mëdha jashtë Kievit.

/rtsh.al/