RTSH 24 Live

Botë

Xi Jinping viziton Francën, Macron kërkon të ndikojë tek lideri kinez për luftën ruse në Ukrainë

06/05/2024

Xi Jinping viziton Francën, Macron kërkon të ndikojë tek lideri kinez për luftën ruse në Ukrainë

Presidenti francez, Emmanuel Macron pritet të paralajmërojë udhëheqësin kinez Xi Jinping mbi rrezikun që paraqet mbështetja që Kina i jep Rusisë në sulmet e saj kundër Ukrainës. Ai do të kërkojë ndihmën e liderit kinez për t’i dhënë fund kësaj lufte. Xi Jinping mbërriti të dielën në Francë për të zhvilluar një vizitë shtetërore. Kjo datë përkon edhe me 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Zgjedhja e Xi Jinping për të vizituar Francën tregon rëndësinë që lideri i shtetit komunist njëpartiak me më shumë se 1.4 miliardë banorë, i jep Macronit dhe këtij shteti si fuqi kryesore europiane.

Dy liderët do të zhvillojnë bisedime në Paris, ku e pranishme do të jetë edhe shefja e Komisionit  Europian Ursula fon der Lajen. E hëna do të mbyllet me një banket shtetëror të organizuar nga presidenti francez në Elize.

Të martën, dy udhëheqësit do të qëndrojnë në malet Pirinej, ku do të zhvillojnë edhe bisedime më private. Ky është udhëtimi i parë i Liderit komunist kienz në Europë që nga viti 2019. Gjatë turit të tij në Europë,  Xi Jinping do të vizitojë edhe Serbinë e Hungarinë. Ndërkohë Qindra njerëz nga komuniteti tibetian që jetojnë në Francë protestuan në Paris kundër vizitës së presidentit kinez "Ishte shumë e rëndësishme të organizohej një demonstratë për t'i bërë të ditur, se ai nuk është i mirëpritur," – tha një nga pjesëmarrësit në tubim.

/rtsh/