Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka mbërritur në Teheran ku po qëndron për një vizitë zyrtare.
Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, Lavrov do të diskutojë "gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe si dhe zhvillimin e situatës rajonale dhe ndërkombëtare" gjatë vizitës së tij në Teheran.
Ministria ruse, nga ana e saj, njoftoi se bisedimet e Lavrov me homologun e tij iranian Abbas Araghchi, si dhe me zyrtarë të tjerë iranianë, do të fokusohen kryesisht në situatën në Siri dhe programin bërthamor iranian.
"Theksi i veçantë do të vendoset në forcimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik (...) në kuadër të zbatimit të projekteve të përbashkëta në sektorët e energjisë dhe transportit," shtoi diplomacia ruse në deklaratën e saj.
Irani dhe Rusia ishin dy aleatët kryesorë të presidentit sirian Bashar al-Assad, i cili u rrëzua në dhjetor nga një aleancë e rebelëve sirianë nën organizatën xhihadiste Hayat Tahrir al-Sham (HTS), një ish degë e Al-Kaedës në Siri.
Vizita e mëparshme e Lavrov në Iran u zhvillua në tetor 2023.
/rtsh.al/.