RTSH 24 Live

Ekonomi

MIE, dorëzohen katër projekte të reja fotovoltaike, kapaciteti i instaluar 101 MW

16/05/2024

MIE, dorëzohen katër projekte të reja fotovoltaike, kapaciteti i instaluar 101 MW

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, njoftoi se pranë saj janë dorëzuar katër projekte të reja  për të investuar në projekte impiantesh fotovoltaikë.

Një prej tyre ka një kapacitet të instaluar 101 MW, ndërsa  tre të tjerë në limitin e 2MW.

Projektet  janë në Bashkinë e Kavajës dhe Bashkinë Fier.

Të gjithë projektet nuk përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë teksa energjinë do të duhet ta shesin në treg të lirë.

Pavarësisht aplikimeve në terren në zbatim apo të përfunduar janë vetëm një pakicë e tyre. 

Referuar raportit të fundit të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2023 thuhet se të paktën tre impiante të mëdhenj janë përfunduar dhe energjizohen në vitet 2024-2025 ku bëjnë pjesë Karavastaja 140 MW si dhe Parku Blue1 dhe Blue 2 me kapacitet 115 MW.

Një pjesë e impianteve tashmë kanë lidhur marrëveshje me sistemin e transmetimit ndërkohë që të tjerë kanë marrë miratim ose rimiratimin në parim për lidhje në këtë sistem. Po kështu janë me dhjetëra që kanë marrë opinion paraprak për lidhje në sistemin e transmetimit.

Projektet e impianteve fotovolatikë që vijojnë të aplikojnë pranë MIE janë të shumta edhe gjatë pesë muajve të parë të këtij viti. 

Orientimi i investimeve në energjinë diellorë mori sidomos një nxitje gjatë krizës së energjisë 2021-2022 ku një pjesë e projekteve që po shfaqen tani në letër i takojnë asaj periudhe.

Paralelisht me investimet private janë zhvilluar edhe ankandet e qeverisë ku përveç Karavastasë dhe Spitallës këtë verë pritet të hapen ofertat për ato hibride, një procedurë e çelur në fillim të këtij viti për një kapacitet 300MW. 

/ rtsh.al /