Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola është shprehur kundër mbylljeve të nxituara të kufijve në luftën kundër migracionit të paligjshëm në Evropë. Ajo ka deklaruar se masa të tilla nuk do të ofrojnë një zgjidhje “të qëndrueshme” për problemin.
Metsola i bëri komentet në konferencën e partisë së Unionit Kristian-social konservator gjerman (CSU) në qytetin bavarez të Augsburgut.
Ajo tha se Marrëveshja e Shengenit që lejon udhëtimet në Evropë është një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Evropian.
“Kjo simbolizon pikërisht frymën e unitetit për të cilën kemi punuar kaq shumë”, tha ajo.
”Migrimi nuk është një çështje që një vend mund ta zgjidhë i vetëm”, tha Metsola.
“Zgjidhja e vërtetë është një zgjidhje evropiane – një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme”, shtoi ajo.
Metsola argumentoi se kufijtë duhet të mbrohen ndërsa trajtohen me drejtësi ata që kanë një kërkesë për azil.
”Çdo zgjidhje duhet të merret me vendosmëri edhe me ata që nuk kanë pretendime dhe duhet të kthehen të sigurt dhe shpejt”, tha ajo.
CSU ka në plan të kalojë një propozim kyç mbi migrimin në konferencën e partisë që do të zhvillohet sot.
Ndër masat e tjera, do të vendoset një kufi për azilkërkuesit në Gjermani.
/ rtsh.al /