RTSH 24 Live

Politikë

Meta për ndërkombëtarët: Turp për “McGonigalët”. Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata”

27/04/2024

Meta për ndërkombëtarët: Turp për “McGonigalët”. Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata”

Në Konventën e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha edhe një mesazh për ndërkombëtarët. Ai shprehu vlerësim për ata që, sipas tij, respektojnë popullin shqiptar, teksa të tjerët i quajti “McGonigalë” që kërkojnë shkeljen e Kushtetutës.

Meta përmendi edhe ish-ambasadorin italian, Alberto Cutillo, teksa tha se do ta kishte shpallur atë “non grata” pse komentoi dekretin e tij, në vitin 2019,  kohë kur ishte president, për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

McGonigalët kujtojmë se ne jemi popull pulash që na thonë shkelni kushtetutën. Kështu e bëni në vendet tuaja? Nuk bëhen në një vend europian këto. Prandaj respekt për partnerët që na respektojnë si popull, turp për McGonigalët. Të dalë ambasadori i Italisë e të diskutojë dekretin e Presidentit?! Ku ndodh kjo? Do e kisha shpallur non grata, por vetëm për marrëdhëniet me Italinë nuk e bëra. Le të guxojë ndonjë ambasador në Shqipëri të diskutojë dekretet e Bajram Begajt unë i pari do t’i tregoj vendin e do të mbledh të gjithë Shqipërinë përpara asaj ambasade. Neni 2 i Kushtetutës thotë se sovraniteti i përket popullit. Kushtetuta do të kthehet atje ku ishte. Reforma në Drejtësi do kthehet te 140 vota”, tha Meta.

/rtsh.al/