RTSH 24 Live

Botë

“Mes dashurisë dhe urrejtjes”, ambasadorja Peleg: Ja nga varet e ardhmja e palestinezëve

08/12/2023

“Mes dashurisë dhe urrejtjes”, ambasadorja Peleg: Ja nga varet e ardhmja e palestinezëve

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë nuk lë vend për ndonjë hamendësim në lidhje me Hamas-in. Përfundimi i luftës do të varet nga koha që do të marrë shkatërrimi i organizatës që kreu sulmet e 7 tetorit në Izrael, duke vrarë mbi 1200 hebrenj dhe duke rrëmbyer qindra të tjerë. Po palestinezët e vrarë dhe lufta që po zhvillohet në jug të Gazës me akoma më shumë të vrarë? Ambasadorja jep këtë përgjigje. 

Fakt është që civilët po lëndohen, por faji është i Hamas-it. Kur Hamas-i sulmoi Izraelin ata e dinin që Izraeli do të reagonte. Kjo është luftë! Kur ti deklaron një luftë, ti e di që njerëzit e tu do të vriten. Por ata nuk duan t’ia dinë,” akuzoi ambasadorja e Izraelit Hamasin, duke vënë në dukje se miliarda euro financim në vit nuk shkojnë për palestinezët, por për të ndërtuar tu ele dhe për të financuar tërrorin kundër Izraelit. 

Hamas-i duhet të mbahet përgjegjës për çdo foshnje që është lënduar në Gaza, për çdo viktimë në Gaza. Dhe e dini çfarë? Njerëzit kanë nisur të zgjohen,” thotë me optimizëm të kontrolluar ambasadorja Peleg, e cila ka një mesazh për palestinezët, nëse duan që të jetojnë si dy shtetë fqinjë.

Ata duhet të vendosin që të braktisin terrorin. Kur lufta të mbarojë dhe do të mbarojë, mund të marrë një muaj apo një muaj tjetër, por do të mbarojë dhe Hamas-i do të largohet nga Gaza, pra, kur lufta të mbarojë, nëse duan një shtet, duhet të nisin të ndërtojnë jetët e tyre pa terror,” u shpreh ambasadorja duke bërë shumë të qartë se gjithçka varët nga palestinezët. 

Gaza mund të jetë Singapori i Lindjes së Mesme. Paratë nuk janë problem. Minutën që lufta do të mbarojë, do të shohim se vendet donatore do të hedhin miliarda euro në Gaza për ta rindërtuar. Çështja është çfarë do të bëhet me këto para? Do t’i investojnë sërish në terror dhe bomba, duke sulmuar Izraelin?” theksoi ambasadorja gjatë i intervistës për emisionin “Pa Censurë”, duke dhënë edhe një mesazh të fundit.

Golda Meyer, ish kryeministre e Izraelit ka thënë diçka shumë të bukur dikur: 'Paqja do të triumfojë, kur palestinezët do të duan fëmijët më shumë sesa na urrejnë ne.' Kështu që, nëse ata vendosin të duan veten më shumë sesa të urrejnë Izraelin mendoj se kjo mund të jetë zgjidhja më e mirë,“ u shpreh ambasadorja e Izraelit për RTSH. 

Pjesë nga intervista me ambasadoren e Izraelit

Elona Meço: Gjatë takimit që patët, kryeministri Rama jua shprehu shqetësimin për konfliktin e tejzgjatur në Gaza, për shkak të shkatërrimit, viktimave, vuajtjeve, siç u shpreh në një postim në platformën X?

Ambasadorja e Izraelit: Sigurisht që i shprehu. Dhe nuk e kundërshtova. Por duhet të them diçka. Ka shumë statistika që po shpërndahen nga lufta. Pyesni veten nga vijnë këta numra? Ministria e Shëndetësisë është Hamas, por, megjithatë, për mua nuk ka rëndësi, nëse është vetëm 1 foshnjë apo 10 mijë foshnja. Fakt është që civilët po lëndohen, por faji është i Hamas-it. Kur Hamas-i sulmoi Izraelin ata e dinin që Izraeli do të reagonte. Çfarë menduan ata, që forcat tona ajrore do të uleshin dhe do të thonin “ooo jooo, ne nuk do të lëndojmë askënd”. Jo! Kjo është luftë! Kur ti deklaron një luftë, ti e di që njerëzit e tu do të vriten. Por ata nuk duan t’ia dinë. Ata e kanë nën kontroll Gazën, janë qeveria e Gazës që prej 2006-ës. Nuk ndërtuan qoftë edhe një strehë mbrojtëse. E dini çfarë ndërtuan? 500 kilometra tunele. Kur u pyetën nga media ndërkombëtare pse kur bombardoheni nga Izraeli nuk i çoni civilët në tunele, ata thanë “jo, tunelet janë për luftë. Na duhen.”. Hamas-i duhet të mbahet përgjegjës për çdo foshnje që është lënduar në Gaza, për çdo viktimë në Gaza. Dhe e dini çfarë? Njerëzit kanë nisur të zgjohen.

Elona Meço: Po tani që ushtria izraelite është në jug, ku do të shkojnë palestinezët? Do të vriten edhe më shumë njerëz?

Ambasadorja e Izraelit: Duhet të bëj diçka shumë të qartë dhe pastaj do të përgjigjem. Kjo është një luftë dhe Izraeli duhet të mbrojë civilët e tij. Ne duhet të luftojmë Hamasin me çdo çmim. Duke thënë këtë, ne i marrim në konsideratë civilët në Gaza. Kur rinisi sulmet, Izraeli shpërndau fletushka me zona specifike në Gaza ku thuhëj “shkoni në këtë zonë, sepse në këtë tjetrën do të bombardohet”. Më tregoni një ushtri në botë që shpërndan fletushka tek njerëzit përpara bombardimeve, duke u thënë se po bombardojmë këtu dhe jo atje. Ne e dimë që Hamas-i po i përdor këta civilë dhe gjithashtu janë mes tyre dhe janë duke u arratisur me ta. E dimë, e kemi marrë në konsideratë, prandaj kjo luftë është më e gjatë sesa duhet të ishte, sepse ne po përpiqemi të shpëtojmë civilët.

Elona Meço: Do të doja t’ju bëja edhe shumë pyetje të tjera, por jemi në fund për shkak të minutazhit. Çfarë zgjidhje kanë palestinezët? Ju deklaruat tre kushtet dhe njëri prej tyre ishte përjashtimi i Hamas-it. Çfarë zgjidhje u keni lënë? Nuk ka Hamas, nuk ka Autoritet Palestinez. Kush do t’i qeverisë?

Ambasadorja e Izraelit: Palestinezët duhet të vendosin, nëse ata duan që të jenë një komb që ka një shtet, siç mundëm ne ta kishim në 1948-ën. Ata duhet të vendosin që të braktisin terrorin dhe të nisin të sillen si njerëz që nuk duan të luftojnë me terror. Jam e sigurtë që kur lufta të mbarojë dhe do të mbarojë, mund të marrë një muaj apo një muaj tjetër, por do të mbarojë dhe Hamas-i do të largohet nga Gaza, pra, kur lufta të mbarojë, nëse duan një shtet, duhet të nisin të ndërtojnë jetët e tyre pa terror. Terrori nuk është zgjidhje. Sapo ata ta deklarojnë dhe jo vetëm ta deklarojnë, por edhe ta zbatojnë këtë, palestinezët do të kenë të ardhme. Siç e thashë më parë, Gaza mund të jetë Singapori i Lindjes së Mesme. Paratë nuk janë problem. Minutën që lufta do të mbarojë, do të shohim se vendet donatore do të hedhin miliarda euro në Gaza për ta rindërtuar. Çështja është çfarë do të bëhet me këto para? Do t’i ivestojnë sërish në terror dhe bomba, duke sulmuar Izraelin? Golda Meyer, ish kryeministre e Izraelit ka thënë diçka shumë të bukur dikur: “Paqja do të triumfojë, kur palestinezët do të duan fëmijët më shumë sesa na urrejnë ne”. Kështu që, nëse ata vendosin të duan veten më shumë sesa të urrejnë Izraelin mendoj se kjo mund të jetë zgjidhja më e mirë.  

Gazetare: Elona Meço

/rtsh.al/