RTSH 24 Live

Botë

Mes 10 vendeve më të vizituara në botë, Greqia pret këtë vit shifrën rekord prej 22 mld eurosh nga turizmi

16/09/2024

Mes 10 vendeve më të vizituara në botë, Greqia pret këtë vit shifrën rekord prej 22 mld eurosh nga turizmi

Greqia pret që të ardhurat e këtij viti nga turizmi të arrijnë shifrën prej 22 miliardë eurosh, duke shënuar një rekord të ri. Greqia raportoi të hyra rekorde nga turizmi prej 20.6 miliardë eurosh vitin e kaluar dhe të dhënat deri më tani kanë treguar se ky vit do të jetë vit tjetër i mirë, tha ministrja greke e Turizmit, Olga Kefalogianni në një konferencë për gazetarë, raporton “Reuters”.

“Greqia është në mesin e dhjetë destinacioneve më të vizituara turistike në botë. Ne mund të kemi shpresë që të hyrat do të mund të arrinin deri në 22 miliardë euro”, shtoi Kefalogianni.

 Turizmi është degë e rëndësishme e ekonomisë greke, por mungesa e akomodimit i ka nxitur autoritetet që më herët këtë muaj të njoftonin plane për rritjen e taksës për qiratë afatshkurtra, ndalimin e lejeve të reja në pjesën qendrore të Athinës dhe nxitjen e pronarët e shtëpive që të kalojnë te biznesi me qira afatgjata nga ato afatshkurtra.

Duke dhënë hollësi për këtë plan, ministrja tha se ndalimi do të vlejë për lejet e reja për qira afatshkurtra në tri rajone të pjesën qendrore të Athinës për të paktën një vit.

Gazetar: A.Mata         

/rtsh.al/