RTSH 24 Live

Sociale

Më pak biznese nga gratë në Kukës, Shoqata e Grave ngre shqetësimin për mundësi të pakta në sipërmarrje

20/10/2024

Më pak biznese nga gratë në Kukës, Shoqata e Grave ngre shqetësimin për mundësi të pakta në sipërmarrje

Pjesëmarrja e grave në sipërmarrje duket se është e paktë në qytetin e Kukësit. Sipas kryetares së shoqatës së grave, Vera Istrefit, bizneset që udhëhiqen nga gratë, janë të pakta në numër dhe disa të tjera mbeten vetëm të shkruara në dokumente.

Bizneset në regjistrat e tyre kanë disa emra drejtuese biznesi, por këto mbeten vetëm në letër, pasi faktikisht janë burrat dhe djemtë ata që drejtojnë bizneset dhe që kanë edhe përfitimet nga bizneset. Me gishtat e dorës mund t’i numërojmë gratë që kanë biznes në Kukës”, tha Vera Istrefi, Kryetare e Shoqatës së Grave.

Sipas Istrefit, mundësitë në Kukës për gratë që duan të kenë një sipërmarrje të tyre, janë të pakta.

Zhvillimi ekonomik i Kukësit është i tillë që nuk ka biznese prodhuese përpos atyre tregtare dhe minerare. Në këtë kontekst mund të themi që nuk kanë mundësi gratë dhe vajzat siç kanë burrat dhe djemtë për gjeneruar të ardhura apo biznese të reja”, theksoi Istrefi.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, Tirana është qarku me numrin më të lartë të grave që drejtojnë një biznes. Më pas renditen, Lezha, Durrësi e Vlora. Fieri dhe Berati janë dy qarqet me përqindjen më të ulët të sipërmarrjeve të drejtuara nga gra.

Gazetare: I. Bajraktari   

/RTSH/