RTSH 24 Live

Europë

Mbyllur deri në maj, pronarët e lokaleve në Romë përleshen me policinë

07/04/2021

Mbyllur deri në maj, pronarët e lokaleve në Romë përleshen me policinë

Pronarët e restoranteve dhe bizneseve të tjera në Romë u përplasën me policinë përpara parlamentit gjatë një proteste kundër zgjatjes së masave shtrënguese ndaj pandemisë së koronavirusit.

Protesta të ngjashme u organizuan dhe në qytete të tjera të Italisë nga veriu në jug dhe në disa raste demonstruesit bllokuan dhe autostradat.

Sipas mediave italiane, në protestën që u mbajt në kryeqytet një polic u plagos ndërsa 7 protestues u arrestuan.

Shumë nga protestuesit qëndronin pa maska dhe thërrisnin “Punë” dhe “Liri”. Ata deklaruan se do të hapin bizneset e tyre pavarësisht vendimit të qeverisë që thotë se ato duhet të qëndrojnë mbyllur të paktën deri në maj.

Italia ka shënuar përmirësim të situatës nga pandemia, ku në 24 orët e fundit, të infektuarit e rinj, për herë të parë pas shumë javësh, nuk e kaluan shifrën 8000.