RTSH 24 Live

Ekonomi

Mblidhet Këshilli i Investimeve, plan veprimi për përmirësimin e klimës së biznesit

31/01/2022

Mblidhet Këshilli i Investimeve, plan veprimi për përmirësimin e klimës së biznesit

Ministria e Financave ka gati ndryshimet në dy ligje të rëndësishme fiskale siç është ai për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale.

Ndryshimet janë pjesë e planit të veprimit për përmirësimin e klimës së investimeve, dhe i përgjigjen rekomandimeve të dhëna vazhdimisht nga bizneset.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se “Unë do të kaloj pa humbur kohë te prezantimi i procesit dhe i shtyllave të ndërhyrjes së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për përmirësimin e klimës së biznesit. Siç thashë, ka pasur një bashkim të rekomandimeve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, të FIIA-s, por edhe të këshilltarëve të ndryshëm të qeverisë shqiptare në fushën e ekonomisë dhe gjithashtu të rekomandimeve të ndërmarra ndër vite nga Këshilli i Investimeve. Mund të them se ligji për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale është duke u ri parë. Ne kemi gati një draft i cili është punuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe shumë shpejt do ta diskutojmë së brendshmi dhe do të nxjerrim për konsultim publik”.

Mirëpo, ndryshime e shpeshta fiskale janë një tjetër problematikë e ngritur nga bizneset.

“Për këtë arsye, gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka punuar për të hartuar një Strategji Afatmesme të të Ardhurave, ku parashikohen një sërë ndërhyrjesh në legjislacionin fiskal, me qëllimin anulimin e atyre përjashtimeve të cilat nuk kanë treguar të jenë eficente në ndihmën e sektorëve ekonomikë. Ky draft do të hidhet për konsultim publik shumë shpejt dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit do të konsultohet me grupe të ndryshme interesi, me qëllim që të arrijmë në një finalizim të dakordësuar të kësaj pakete me të gjithë ju, pra me përfaqësuesit e biznesit”,-tha Ibrahimaj.

Prej disa muajsh, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për të përfunduar një plani veprimi për përmirësimin e klimës së investimeve në bazë të rekomandimeve të biznesit.

Në total janë 194 rekomandime, pjesa më e madhe e të cilave kanë të bëjnë me ligjin tatimor. Financat synojnë që në fillim të muajit mars plani të jetë gati dhe zbatimi i tij të nis në fund të muajit qershor.