RTSH 24 Live

Politikë

Mbledhja e përbashkët e dy Kuvendeve për 110 vjetorin e Pavarësisë! Nikolla: Ditë e bekuar! Konjufca: E ardhmja jonë BE

27/11/2022

Mbledhja e përbashkët e dy Kuvendeve për 110 vjetorin e Pavarësisë! Nikolla: Ditë e bekuar! Konjufca: E ardhmja jonë BE

Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar sot mbledhjen e parë të përbashkët të dy Kuvendeve të tyre në Tiranë, duke shënuar një ditë historike për kombin shqiptar.

Edhe pse historia e shqiptarëve që nga ngritja e flamurit në 1912 ka qenë plot pengesa, sot edhe pse të ndarë në dy shtete Shqipëria dhe Kosova, aspirohet që vendet të ecin në krah të njëri-tjetrit drejt familjes europiane. Kjo mbledhje e përbashkët zhvillohet për 110 vjetorin e Pavarësisë ku kërkohet një bashkëpunim edhe më i thellë dhe unifikues mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Mbledhja ka nisur me himnet përkatëse të dy vendeve, ku pritja e dy kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti si dhe deputetëve të dy Kuvendeve u bë nga dy kryeparlamentarët Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca.

E para që nisi fjalën ishte kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila tha se kjo është një ditë e bekuar dhe se bashkësia shqiptare në rajon duhet të bashkëpunojë më shumë për të krijuar jo vetëm një të ardhme më të mirë për shqiptarët, por për një qëndrueshmëri të fortë të të gjithë rajonit.

“Ditë e bukur dhe e paharrueshme kjo e sotmja, për herë të parë jemi bashkë për të festuar ngritjen e flamurit. Dikur as si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment për shkak të pengesave të historisë. Shqipëria dhe Kosova janë sot dy shtete të pavarura me miq dhe aleatë të mëdhenj dhe me aspiratë të përbashkët drejt Brukselit. Sfidat e shqiptarëve në shekullin që kemi hyrë janë të përbashkëta dhe përballen me projekte të përbashkëta. Sa më shumë të ko4rdinohemi as më shumë përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Sa më e qëndrueshëm bashkësia shqiptare as më i qëndrueshëm do të jetë Ballkani dhe Europa. Dy Kuvendet tona duhet të japin kontribut në fushën e legjislacionit për një jetë më të mirë”, tha Nikolla.

Edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca tha se 28 nëntori është dita e të gjithë shqiptarëve dhe se të dy vendet kanë aspirata të përbashkëta drejt BE.

“28 nëntori është dita e të gjithë shqiptarëve. Kur ishim të shtypur dhe nën terrorin jugosllave, popullin tonë të pamposhtur e mbajti gjallë lidhja e fuqishme me 28 nëntorit dhe dashuria për komb in gdhe gjuhën tonë shqipe. Rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë për kombin tonë. Së para ishin ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës nga pushtuesi serb. Sot Shqipëria është anëtar e NATO-s dhe vend kandidat për në BE, ndërsa Kosova aspiron anëtarësimin në BE. Të dy vendet janë në krahë në miqësisë së thellë dhe të përhershme të SHBA-së. Duhet të reflektojmë për sfidat që kemi parë dhe pengesat që duhet të kapërcejmë”, tha Konjufca.

Fjalët përshëndetëse të mbajtura nga krerët e grupeve parlamentare në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve

Balla: Duhet të kishim mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se Shqipëria dhe Kosova duhet ta kishin mbrojtur shkëlqimin e merituar të fitores dhe pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës, ku ish krerët e saj sot janë në burgjet e Hagës ku kanë qenë edhe kriminelët e gjenocidit.

"Kështu si sot Adem Jashari do të donte të na shihte shpesh ne përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe ndoshta do të na qortonte për çkujdesjen tonë për të mbrojtur shkëlqimin e merituar të fitores dhe pastërtinë e luftës çlirimtare. Sepse, ndërsa ne i gëzoheshim fitores dhe shpalljes së pavarësisë, të tjerët, humbësit bashkë me aleatët e tyre u kujdesën mjeshtërisht që të njollosnin tinëz, luftën e ndritshme çlirimtare. Qëndresa paqësore, beteja e drejtë për liri dhe demokraci e popullit shqiptar të Kosovës dhe valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës, vunë në lëvizje botën demokratike me një reagim të vendosur. Reagim që erdhi pas operacionesh barbare ushtarake spastrimesh etnike, që sollën si rezultat zhvendosjen e qindra mijëra civilëve, gjysmë milioni vetëm këtu në Shqipëri. Por Monumenti i Errësirës, nuk mbaron me kaq! Sepse sot, komandantët e UCK-së mbahen të arrestuar, në të njëjtin burg, sikur ata që urdhëruan masakrat në Kosovë, Srebrenicë e gjetkë, mbi bazën e disa akuzave të paqena, të një raporti dhe një rezolute turpi, për ata që e shkruan dhe ata që e votuan. Ne shqiptarët i jemi gjithmonë mirënjohës komunitetit ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë SHBA-ve, të cilët morën përgjegjësinë dhe na erdhën në ndihmë” tha Balla.

Alibeaj: Sot është mbledhur kombi, PD do e shoh Serbinë vetëm me sytë e Kosovës

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha se PD ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë në krah të Kosovës.

“Sot në këtë kuvend është mbledhur kombi. Në çdo rast PD do e shoh Serbinë vetëm me sytë e Kosovës. PD është për paqe mes dy popujve, por ne qëndrojmë krah fjalës që thotë Kosova. Partia Demokratike është e përcaktuar në qëndrimin se dhe një ndër çështjet më delikate në rajon, siç është ai i i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka të gjithë mbështetjen tonë për t'u zgjidhur ne dialog. PD ka votuar e mbështetur pa asnjë dilemë, çdo nisme që shkon në mbështetje apo me pjesëmarrjen e Kosovës. Kemi mbështetur mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe kemi kërkuar që marrëveshjet të implementime në terren në mënyrë aktive e të mos mbeten në letë”, tha Alibeaj.

Gashi: Së bashku në angazhim për integrim në BE

Kreu i grupit parlamentar të LDK, Arben Gashi tha se shqiptarët duhet të jenë së bashku në angazhim për integrim sa më shpejtë të dy shteteve në BE.

“Ne duhet të krijojmë legjislacionin dhe harmonizimin e tyre me standardet më të larta europiane dhe përcaktimin e prioriteteve dhe orientimeve tona politike. Ne jemi një shtet i ri, me përkrahjen e miqve tanë kemi arritur të krijojmë një demokraci të qëndrueshme dhe Kosova ka shënuar sukseset e veta në këtë periudhë. Bashkë kështu si sot ne na duhen shqiptarë , bashkë në angazhim për integrim sa më shpejtë të dy shteteve tona në BE”, tha Gashi.

Mediu: Kombi nuk është trofe, është mbi çdo politikë

Kreu i grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”,  Fatmir Mediu tha se kombi nuk është trofe, por është mbi çdo politikë.

“Një ditë do jemi bashkë në BE, detyrim ndaj historisë dhe atyre që bënë historinë e sakrifikuar jetën. Kombi nuk është trofe politik, është mbi çdo politikë. Çdo politikë hapje apo bashkëpunimi ynë duhet të ndaloje influencën e Rusisë në rajon. Kjo botë nuk nis e nuk mbaron me ne, duhet ne të jemi ata që gjejmë vendin që na takon”, tha Mediu

Spiropali: Në dy anët e Drinit do valëvitet flamuri i BE

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend tha flamuri i Be do valëvitet në Shqipëri dhe Kosovë. Spiropali shtoi se regjimi i vizave në Kosovës është absurde dhe Shqipëria do jetë një nga avokatet më të zëshme të Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një nga avokatet më të zëshme të Kosovës për liberalizimin e vizave. Ne e gjykojmë absurde sesi ekziston regjimi i vizave. Sesi ata që sot në Kosovë kanë moshë gjyshërish lëviznin lirisht në kohën e ish Jugosllavisë ndërsa nipërit e tyre sot janë të izoluar. Rajoni duket se i ka mbyllur hesapet me luftën por paqja nuk është kurrë një ekuilibër. Duhet të dëshmojnë qartë, shpejt në të dy brigjet e Drinit do valëvitet edhe flamuri i Europës. Për ne kjo është e vetmja zgjidhje”, tha Spiropali.

Tahiri: Duhet një përgjigje e përbashkët për këdo që do të na përçajë

Kreu i grupit parlamentar të PDK, Abelard Tahiri tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë përgjigje të përbashkët për këdo që kërkon të na përçajë.

“Populli shqiptar e ka në themel idealin e demokracisë. Duhet të tejkalojmë rrethanat kur e dimë se çfarë nuk duam sot, por e dimë se çfarë duam në të ardhmen ku shoqëritë tona janë të drejta, të barabarta dhe të lira. Duam një të ardhme kur njerëzit tanë mund të shkruajnë historinë e jetës së tyre në bazë të lirisë demokracisë dhe drejtësisë që janë baze e karakterit tonë të përbashkët. Kush do të na përçajë ne duhet të kemi një përgjigjeje të përbashkët për ata. Bashkë drejt BE, dhe në aleancë me SHBA dhe në NATO”, tha Tahiri.

/rtsh.al/