RTSH 24 Live

Ekonomi

Mbi 2.1 milionë të huaj vizituan Shqipërinë në gusht

25/09/2024

Mbi 2.1 milionë të huaj vizituan Shqipërinë në gusht

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit gusht ishte 2.167.665. Sipas raportit të publikuar të mërkurën nga INSTAT-i, ky numër është rritur me 7.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Në total, gjatë muajit gusht 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin shqiptar, 3.106.126 shtetas shqiptar dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 9,1 %, krahasuar me gushtin e 2023-shit.

Referuar INSTAT-it, 96 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 77 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 9 %.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj.

Ky tregues ka shënuar një rritje me 10.4%, krahasuar me gushtin e 2023-shit. Rritje të ndjeshme në muajin gusht kanë pasur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 49.4 %.

/ rtsh.al /