RTSH 24 Live

Politikë

Mazhoranca s’dërgon mandatin e Xhaçkës në Kushtetuese, Bardhi letër BE: PS po e mbron nga drejtësia, po shkel ligjin

15/04/2024

Mazhoranca s’dërgon mandatin e Xhaçkës në Kushtetuese, Bardhi letër BE: PS po e mbron nga drejtësia, po shkel ligjin

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar një shkresë Komisionin Europian, Parlamentin Europian dhe Trupin Diplomatik në Tiranë ku e informon lidhur me refuzimin e mazhorancës për dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuse.

Grupi parlamentar i PD pretendon se Xhaçkës i është dhënë mbrojtje politike nga drejtësia dhe se për PD konsiderohet si “dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet, si dhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste për cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës”.

Shkresa i është dërguar Komisionerit të Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi Oliver Varhelyi, eurodeputeten Isabel Santos, që është Raportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian, si dhe gjithë Trupin Diplomatik të Akredituar në Tiranë.

“Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor. As Kuvendi dhe asnjë institucion publik nuk mund të shpall sovranitetin përkundrejt vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të rrënonte parimin kushtetutes të balancës dhe kontrollit mes pushteteve, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit, sepse do të merrte tiparet e qarta të një puci kushtetutes” – thuhet në shkresën zyrtare të Gazmend Bardhit.

Sipas grupit parlamentar të PD mos dërgimi i mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese është “pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese” dhe për PD kjo vjen në kushtet e konfliktit të interesit ku sipas tyre është “evidentuar fakti se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të Kryeministrit Edi Rama në kushtet flagrante të shkeljes së ligjit”.

“Ky rast merr përmasat e një mbrojtje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK. Nga ky hetim rezulton e provuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka” – thuhet në shkresën drejtuar ndërkombëtarëve.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi e konsideron të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka.

Për Bardhin ky veprim përbën minim të demokracisë dhe rrënon besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi.

Letra  e plotë

Të nderuar Shkëlqesi,

Shqipëria menjëherë pas miratimit të Reformës në Drejtësi justifikoi mungesën e një Gjykate Kushtetuese funksionale prej rreth 3 vitesh, me faktin se kjo ishte një kosto e arsyeshme që duhej pranuar për shkak të nevojës që vendi ynë kishte për një Gjykatë Kushtetuese profesionale, me integritet dhe të paanshme. Reformimi i Gjykatës Kushtetuese ishte pjesë thelbësore e Reformës në Drejtësi dhe një garanci e mëtejshme për një sistem drejtësie sipas standarteve europiane.

Në cdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor. As Kuvendi dhe asnjë institucion publik nuk mund të shpall sovranitetin përkundrejt vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të rrënonte parimin kushtetutes të balancës dhe kontrollit mes pushteteve, duke vënë në pikëpytje vetë ekzistencën e shtetit, sepse do të merrte tiparet e qarta të një puci kushtetutes.

Në vijim të një ankimi të opozitës, me vendimin nr. 1/2023 Gjykata Kushtetutese ka kërkuar nga Kuvendi që të përcjell për shqyrtim pretendimin për papajtueshmëri të mandatit të deputetes së PS Olta Xhacka, për shkak se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar të drejtën për të përdorur pasuri publike përmes njohjes nga Qeveria të statusit të investitorit strategjik. Konkretisht, me vendimin nr. 1, datë 23.1.2023 , Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur: “.... vendimmarrja e Kuvendit është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t’u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të këtij organi Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla......Për rrjedhojë, Gjykata Kushtetutese vlerëson se në rastin konkret Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi.”.

Për 1 vit e 3 muaj mazhoranca refuzonte në mënyrë të përsëritur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke mos e përfshirë në rend ditë të seancës plenare. Këtë bllokim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vetë Gjykata Kushtetuese, më datë 05.02.2024, përmes Kryetares së saj znj. Holta Zaçaj, e ka cilësuar si “të paimagjinueshme në një shtet ligjor” dhe se “nuk ka ekuivoke në vendimet e GJK-së” .

Pas këmbënguljes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, mazhoranca vendosi të përfshijë për shqyrtim zbatimin e këtij vendimi në seancën e datës 11 Prill 2024. Mirëpo, me një akt të paprecedent, me një votim politik, vendosi të mos e zbatojë vendimin nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, me argumentin se nuk është dakord me përmbajtjen e tij dhe se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk mund të detyrohen të votojnë sic urdhëron Gjykata Kushtetuese.

Ky refuzim për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm cenon të drejtat e pakicës parlamentare të garantuara nga neni 70 pika 4 e Kushtetutës, por cënon edhe parimet bazë të shtetit ligjor, autoritetin dhe besimin e publikut tek Gjykata Kushtetuese dhe nenin 132 të Kushtetutës, që sanksionon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim.

Ky pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhacka, vjen pas evidentimit të qartë të faktit se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të Kryeministrit Edi Rama, epror i saj, në kushtet flagrante të shkeljes së ligjit dhe konfliktit të interesit. Ky rast merr përmasat e një mbrojtje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK . Nga ky hetim rezulton e provuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka.

Duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhacka, duke penguar zbatimin e vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetutese, dëshirojmë të theksojmë se ky veprim përbën minim të demokracisë dhe rrënon besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi. Ky është dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet, si dhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste për cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës dhe pengimit të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetutes

Nisur nga sa më lart, si nxitës të Reformës në Drejtësi dhe si garant të cuarjes përpara të zbatimit të kësaj Reforme pa devijime të papërshtathme, duke besuar se nuk mbështesni standartin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”, shpreh bindjen time se ky veprim i paprecedent nuk do të përkrahet nga ana juaj, qoftë edhe përmes kalimin të kësaj situate në heshtje.

Duke rikonfirmuar konsideratën tonë më të lartë për ju dhe institucionet/shtetet që përfaqësoni.

/rtsh.al/