Një 20-vjeçar shqiptar, i cili vitin e kaluar arriti të mashtrojë disa shkolla, maturantë, madje edhe vetë Ministrinë e Arsimit, pritet të përballet juridikisht me akuzat kundër tij.
Prokuroria e Tiranës njoftoi se rasti i të riut Ermes H. do të trajtohet tashmë në gjyq për veprën penale "Falsifikim kompjuterik" dhe "Falsifikim i dokumenteve".
"Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1819, datë 11.03.2024, rezultoi se ky shtetas krijoi një identitet të rremë si Klea Rama dhe duke përdorur kredencialet e një diplomateje të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Tiranë, ka mashtruar zyrtarë të nivelit vendor arsimor në Shqipëri. Duke pretenduar se udhëheq një projekt për të rinjtë nën logon, 'Let’s talk together aboutUS’23 dhe 24' ai lëshoi edhe 19 certifikata pjesëmarrjeje për nxënës dhe të paktën një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë, me temë 'Projekti Let’s talk together about US’23'.
Nëpërmjet identitetit të krijuar si Klea Rama, shtetasi në fjalë pretendoi se ishte iniciator i projektit 'Let’s talk together aboutUS’24' që mbulon Shqipërinë dhe ka për qëllim informimin e studentëve shqiptarë rreth studimeve në Shtetet e Bashkuara, për t’i aktivizuar ata në këto projekte dhe mbështetur disa me shuma financiare nëse kalojnë vlerësimet në kolegje amerikane.
Dokumentet e falsifikuara, si certifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot e këqyra dhe të sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës gjatë hetimeve mbi këtë procedim penal, iu gjetën shtetasit E.H në laptonin e tij dhe aparatet celulare. Po aty u gjet edhe adresa e e-mailit me të cilën komunikonte me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit," thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
/rtsh.al/