RTSH 24 Live

Aktualitet

Masakra në Velipojë me 4 të vrarë, policia italiane arreston në Rimini një shqiptar, ishte në kërkim ndërkombëtar

10/06/2023

Masakra në Velipojë me 4 të vrarë, policia italiane arreston në Rimini një shqiptar, ishte në kërkim ndërkombëtar

Një person, i cili dyshohet se ka marrë pjesë aktive në masakrën e ndodhur në Velipojë 2 vite më parë, ku mbetën 4 të vrarë dhe 2 të plagosur, ka rënë në prangat e policisë italiane. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet policore shqiptare.

Sipas mediave italiane, mëngjesin e 9 qershorit, Policia e Riminit ka ekzekutuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, i cili ishte lëshuar nga Autoriteti Gjyqësor Shqiptar për një shtetas me kombësi shqiptare. 

I riu, i cili banonte edhe me anëtarë të tjerë të familjes në provincën e Riminit, u arrestua nga një skuadër e policisë italiane në një hotel në komunën e Misano Adriatico dhe, në përputhje me Urdhër Arrestin Ndërkombëtar, ai iu nënshtrua masës së ndalimit të përkohshëm.

Arrestimi u krye për qëllime ekstradimi, pasi akuzohet për veprën penale “Vrasje dhe armëmbajtje pa leje”.

Nisur nga hetimet e kryera nga Autoriteti Gjyqësor Shqiptar, personi dyshohet se ka marrë pjesë aktive në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Shqipëri në vitin 2021, në Velipojë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, humbën jetën katër shtetas shqiptarë, ndërsa dy të tjerë, mes tyre edhe vetë i arrestuari në Rimini, mbetën të plagosur.

Policia italiane nuk e publikon emrin e personit të arrestuar, por vetëm informon se ai është shoqëruar në burgun e Riminit, për ta vënë  në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor italian, i cili do të vendosë për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Ngjarja

Bazuar në dosjen dhe njoftimin e policisë, ngjarja e rëndë në Velipojë ndodhi pas një sherri për shfrytëzimin e një pjesë rëre në plazh, ku mbetën të vrarë 4 persona. Nga përplasja me armë mbetën të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç, që kishin hotelin “Gocaj”, si dhe jetimi Musaen Zeneli 20 vjeç, që e kapi një plumb në zemër dhe i mori jetën në vend.

Po ashtu u plagosën edhe Hasan Ferracaku, vëllai i biznesmenit që u vra, si dhe nipi i tij Elmedin Tyli. Sipas dosjes fillimisht Hasan Ferracaku mbrëmjen ka shkuar tek lokali Gocajve dhe është ulur në një tavolinë me njërin prej vëllezërve Gocaj për tu sqaruar për pjesën e rërës ku ishin vendosur shezlongët.

Biseda ka agravuar dhe, sipas dëshmisë së Hasan Ferracakut, është shfaqur vëllai tjetër i Gocajve i cili ka hapur zjarr ndaj vëllait të Hasan Ferracakut, Kujtimit, i cili ishte aty pranë. Sipas Hasan Ferracakut, vëllai i tij i është kundërpërgjigjur me pistoletë, madje ka shkuar dhe i ka kapur kallashin.

Plumbat kanë kapur pothuajse të gjithë të pranishmit në këtë sherr, madje edhe të pafajshmin, Musaen Zeneli, i cili e kishte ditën e parë të punës tek hoteli i vëllezërve Gocaj. Sipas policisë, viktimat janë gjetur të gjithë pranë njëri tjetrit.

/rtsh.al/