RTSH 24 Live

Ekonomi

Marrëveshja për parkun teknologjik, Gonxhja: Sjell lehtësi fiskale për kompanitë

18/02/2025

Marrëveshja për parkun teknologjik, Gonxhja: Sjell lehtësi fiskale për kompanitë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, nënshkroi një marrëveshje me Drejtoreshën e Korporatës së Investimeve, Elira Kokona, lidhur me nisjen e projektit teknologjik Durana Tech Park.

Sipas ministrit, kjo iniciativë do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe sjelljen e investimeve të huaja.

"Sot po flasim për diçka që po ndodh. Nuk po premtojmë. Ne po bëjmë. Qëllimi është që zona Tiranë–Durrës, që në fakt është motori ekonomik i shoqërisë, të shndërrohet shumë shpejt në një pol të rëndësishëm tashmë jo vetëm shqiptar, por rajonal, edhe për krijimin e teknologjive të reja dhe zgjidhjeve inovative për biznesin, shtetin dhe shoqërinë," u shpreh ministri Gonxhja.

Ndërsa drejtoresha e Korporatës, Elira Kokona, theksoi se projekti i ri do të sjellë lehtësira për bizneset që do të operojnë brenda këtij parku.

"Çfarë ne ofrojmë është 0% tatim mbi fitimin për 15 vjet, 0% tatim mbi të ardhurat personale për 10 vjet për punonjësit, 0% TVSH për shërbimet dhe pajisjet e përdorura në park, përjashtime nga taksat doganore dhe pajisjet e importuara, lejeqëndrim pesëvjeçar dhe mundësi për nënshtetësi për punonjësit e huaj. Për institucionet akademike dhe qendrat kërkimore ofrohet 0% tatim mbi të ardhurat personale për 10 vjet, mundësi bashkëpunimi në projektet e financuara nga BE-ja, hapësira të dedikuara për laboratorë dhe projekte kërkimore, për start-up," deklaroi znj. Kokona.

Investimi në Xhafzotaj të Durrësit kap shifrën e 20 milionë eurove për fazën e parë dhe synon të nxisë konkurrencën rajonale e globale, duke promovuar kërkimin, zhvillimin dhe bashkëpunimin midis kompanive, start-up dhe nomadëve digjitalë.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/