RTSH 24 Live

Sociale

Marrëveshja për Kolegjin e Evropës, Manastirliu në Komisionin e Edukimit: Ofertë unike akademike

16/04/2024

Marrëveshja për Kolegjin e Evropës, Manastirliu në Komisionin e Edukimit: Ofertë unike akademike

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka paraqitur në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë”, një marrëveshje historike në fushën e arsimit të lartë, që sjell në Shqipëri një nga kolegjet më të suksesshme evropiane.

“Hapja e Kolegjit të Evropës, Kampusit të Tiranës është padyshim një ngjarje historike për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Krijohet një ofertë e re akademike, që është shëmbëlltyrë e vizionit tonë për t’i dhënë një dimension evropian arsimit të lartë”, tha ministrja Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit nënvizoi se kjo marrëveshje synon nxitjen e bashkëpunimit për zhvillimin e sektorit të arsimit të lartë, ekspertizës në fushën e studimeve evropiane në vendin tonë dhe sjelljen e një oferte unike akademike për studentët dhe profesionistët e rinj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

 “Programet e studimit që do të ofrohen nga Kolegji në Tiranë do të kenë të njëjtat standarde si ato të ofruara në departamentet e tjera të Kolegjit në Bryzh dhe Natolin, nën mbikëqyrjen e Këshillit Akademik të Kolegjit dhe të akredituar nga Organizata e Akreditimit e Holandës dhe Flanders. Aktiviteti i këtij kolegji do të nisë me vitin akademik 2024-2025 me një program studimi pasuniversitar, cikli i dytë i studimeve, i cili do të jetë i hapur për studentët dhe profesionistët nga Ballkani Perëndimor, e më gjerë për specializim në studimet evropiane, me fokus në integrimin e rajonit në BE. Qeveria shqiptare do të investojë për ngritjen e Kampusit të ri të Kolegjit si dhe do të ofrojë deri në 5 bursa në vit”, tha Manastirliu.

“Hapja e degës së Kolegjit të Evropës Kampusi i Tiranës, - tha Manastirliu- tregon mbështetjen e institucioneve të BE, Komisionit Evropian për vizionin dhe punën e bërë nga qeveria shqiptare në rrugën e integrimit evropian, të stabilitetit ekonomik dhe social, e reformave të ndërmarra në të gjithë sektorët dhe patjetër edhe në arsim”.

Kolegji i Evropës, Kampusi i Tiranës hapet këtë vit akademik me 31 studentë që janë përzgjedhur nga Kolegji i Evropës ndërmjet mbi 240 aplikantëve dhe të vijojë për vitin e dytë me 50 studentë e më tej, do të zgjerohet në vitet në vijim edhe falë investimeve që parashikohen nga qeveria shqiptare për ndërtimin e Kampusit të ri në Tiranë. 

Në nisjen e funksionimit të Kolegjit të Evropës, ai do të vendoset në Godinën “Liria’ të Universitetit të Tiranës, ku do të ofrohet e gjithë infrastruktura e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe gjithashtu do të investojmë për ngritjen e kampusit të këtij kolegji.

 Kolegji i Evropës hap një horizont të ri edukimi për të rinjtë shqiptarë, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin një nga institucionet ekselente të arsimit që ofron një program të thelluar për vetë Bashkimin Evropian dhe rrugëtimin drejt tij. Më herët, ministrja Manastirliu firmosi marrëveshjen për reformimin e Universitetin e Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës, si pjesë e programit të ndërkombëtarizimit të universiteteve për zgjerimin dhe cilësinë e ofertës akademike shqiptare.

/rtsh.al/