RTSH 24 Live

Rajon

Marrëveshja në Ohër, Borrell: Zbatimi do përfshihet në negociatat për integrim për Serbinë dhe Komisionin për Normalizim në Kosovë

20/03/2023

Marrëveshja në Ohër, Borrell: Zbatimi do përfshihet në negociatat për integrim për Serbinë dhe Komisionin për Normalizim në Kosovë

Edhe pse Kosova dhe Serbia nuk firmosën asnjë marrëveshje juridikisht, ata u pajtuar të zbatojnë aneksin e propozimit të BE, ku palët angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Për të mundësuar zbatimin e këtij aneksi, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell tha se për Serbinë do të implementohet në kapitullin e 35 në negociatat për anëtarësimin në BE, ndërsa për Kosovën do jetë pjesë e Komisionit për Normalizim.

 “Patëm diskutime të gjata dhe në fund edhe marrëveshje e cila do të konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugëtimit evropian për të dyja palët. Do të bëhet pjesë e kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit me BE-në për Serbinë dhe pjesë e dokumenteve dhe kërkesave për normalizim për Kosovën. Tani do të monitorojmë për së afërmi zbatimin. Të dyja palët janë shprehur se duan ta zbatojë dhe le të shohim se si do ta bëjnë këtë”, tha Borrell

Këto deklarata Borrell i bëri para nisjes së takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, ku do të raportojë lidhur me takimin në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve, që ka 11 nene, ku nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë.

Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët ranë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nis përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

/rtsh.al/