RTSH 24 Live

Politikë

Marrëveshja me Italinë për emigrantët kalon nesër në Kuvend, Bardhi: “Kushtetuesja” po koordinohet me Ramën

13/12/2023

Marrëveshja me Italinë për emigrantët kalon nesër në Kuvend, Bardhi: “Kushtetuesja” po koordinohet me Ramën

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka hedhur akuza në drejtim të Gjykatës Kushtetuese për faktin që nuk ka marrë ende një vendim për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.

Marrëveshja pritet të kalojë për votim në Kuvend ditën e nesërme (14 dhjetor). Bardhi tha se shqyrtimi formal i kërkesës së tyre nga Gjykata, që do të çonte edhe në pezullimin e procedurës parlamentare të ratifikimit të marrëveshjes, nuk kërkon kohë për analizë të thelluar.

Me heshtje dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendimin për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me Marrëveshjen me Italinë për emigrantët, akt që shoqërohet me pezullimin e procedurës parlamentare të ratifikimit të saj nga Kuvendi. Shqyrtimi paraprak i kërkesës është një proces formal, që nuk kërkon shqyrtimin në themel dhe as kohë për analizë të thelluar”, tha Bardhi.

Sipas deputeti demokrat, ka një koordinim mes Gjykatës Kushtetuese dhe kryeministrit Edi Rama, teksa akuzoi këtë të fundit se ka afruar procedurën e miratimit nga Parlamenti.

Duke shfrytëzuar mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, nën dyshimin serioz të një koordinimi mes tyre, Edi Rama urdhëroi Kuvendin që të afrojë me një javë procedurën e miratimit nga Parlamenti, duke e përfshirë në Rendin e Ditës të seancës së nesërme. Edhe pse është njoftuar zyrtarisht për përshpejtimin e procedurave në Kuvend, mosveprimi në kohë i Gjykatës Kushtetuese për një çështje me natyrë urgjente, praktikisht asgjëson mundësinë e kontrollit kushtetuese mbi përmbajtjen e marrëveshjes, që detyrimisht shqyrtohet përpara ratifikimit”, u shpreh Bardhi.

Partia Demokratike çoi më 6 dhjetor në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët me Italinë, duke e konsideruar atë si të papajtueshme me Kushtetutë. PD kërkon pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e kësaj marrëveshje.

/rtsh.al/