Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aljev (Alyev) ka nisur mandatin e 5-të, pasi u rikonfirmua në këtë detyrë, në zgjedhjet e parakohshme të 7 shkurtit.
Këto zgjedhje, te cilat do të mbaheshin në 2025 u thirrën një vit me herët me dekret të presidentit, pasi Azerbajxhani mori nën kontroll rajonin e Nagorni Karabakut, pas një konflikti më shumë se 30- vjeçar me fqinjin e tij veriperëndimor, Armeninë.
Autoritetet i cilësuan këto si zgjedhjet e fitores, duke qenë se për herë të parë u votua në gjithë territorin e Azerbajxhanit, përfshi edhe qytetet e Nagorni Karabakut.
Tashmë autoritetet e Azerbajxhanit shpresojnë të arrijnë një marrëveshjeje paqeje me Armeninë.
I vendosur në kufirin e Evropës Lindore, Azerbajxhani pjesë e rajonit të Kaukazit Jugor ka marrëdhënie bashkëpunimi me Shqipërinë, të cilat kanë hyrë në një dimension tjetër pas përfundimit të punimeve të gazsjellësit Trans-Adriatik.
Marrëdhëniet e forta mes dy vendeve janë reflektuar edhe në takimet e nivelit të lartë.
Në dhjetor të 2022-it presidentit i Azerbajxhanit u takua me kryeministrin Edi Rama, ndërsa në korrik të 2023-shit me presidentin Bajram Begaj.
Shqipëria është veçanërisht e interesuar për një pjesëmarrje aktive të Azerbajxhanit në zhvillimin e infrastrukturës energjetike në vend dhe implementimin të Memorandumit mbi Planin e Përgjithshëm të Gazifikimit të Shqipërisë, të nënshkruar midis dy vendeve.
Kompania azere Socar është angazhuar në procesin e gazifikimit të Shqipërisë, i cili do të nisë nga Korça, me projekt pilot, për të cilin autoritetet e dy vendeve po punojnë prej muajsh.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama, njoftoi edhe hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Azerbajxhan.
Bashkëpunimi mes dy vendeve është shtrirë edhe në fushën e medias. Transmetuesit publik të dy vendeve kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Transmetuesi publik i Azerbajxhanit do të ndihmojë një prej studiove lokale të RTSH-së, RTSH Korçën të forcojë kapacitetet e saj, ndërsa marrëveshja parashikon edhe prodhime të përbashkëta.
Turizmi, i cili ka marrë një hov zhvillimi vitet e fundit në vendin tonë, është një tjetër sektor, ku pritet të intensifikohen marrëdhëniet me Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/