RTSH 24 Live

Aktualitet

Manastirliu: E tronditur nga humbja tragjike e 14-vjeçarit

2 orë para

Manastirliu: E tronditur nga humbja tragjike e 14-vjeçarit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu shprehu të hënën në Kuvend tronditjen nga humbja tragjike e jetës së një 14-vjeçari, jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, të cilën e përkufizoi “një jetë të re të humbur në mënyrë të parakohshme dhe tragjike”.

Në seancën plenare të Kuvendit përpara se të prezantonte buxhetin 2025 për arsimin dhe sportin, Manastirliu u parapri nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e cila e nisi fjalën e saj me këtë ngjarje dhe kërkoi dorëheqjen e ministres Manastirliu.

“Dhimbja është vërtet e madhe e prindërve, mësuesve, e komunitetit, e jona, e imja personale. Është një ngjarje nga e cila duhet që të reflektojmë. Ajo na fton që si përfaqësues të qytetarëve këtu në këtë sallë të angazhohemi edhe më shumë për një mjedis më të sigurt dhe më të mbrojtur për fëmijët tanë. Të forcojmë edhe më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë duke luftuar në çdo formë dhunën e të gjitha formave, por nga ana tjetër edhe ne kemi rolin tonë në këtë seancë”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se deputetët duhet të jenë të parët që të promovojnë vlerat e respektit për njëri-tjetrin, që të mos ketë më gjuhë urrejtje, me qëllim për tu kthyer edhe model për fëmijët.

Policia e Shtetit njoftoi të hënën se rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli”, janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa një tjetër ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

“Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”, njoftoi policia.

/rtsh.al/