Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për ish deputetin socialist Jurgis Çyrbja dhe bashkëpunëtorin e tij Ahmet Masha.
Çyrbja dhe Masha ankimuan vendimin e GJKKO për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, por Apeli vendosi sot ta linte këtë masë të pandryshuar.
Çyrbja akuzohet për tre vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Jurgis Çyrbja u arrestua të dielën e 20 tetorit në qytetin e Durrësit, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit të Partisë Socialiste, të cilin e mbante që nga viti 2017.
Pasi dorëzoi mandatin e deputetit, Çyrbja u mor i pandehur nga SPAK.
Sipas SPAK, në shtatë raste funksionarë publikë, të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, kanë zbuluar sekrete shtetërore, ndërsa Jurgis Çyrbja është vënë në dijeni mbi përmbajtjen e këtyre akteve, të cilat iu transmetuan bashkëbiseduesve në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC”, që janë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ish-deputeti Çyrbja, sipas Prokurorisë së Posaçme, është vënë në dijeni edhe të disa planeve operacionale të policisë, lidhur me kontrollet që do të zhvilloheshin në zonën e Durrësit, për të kapur personat e shpallur në kërkim, por këto sekrete shtetërore iu transmetuan atyre drejtpërdrejt prej tij si dhe përmes një personi tjetër, Ahmet Masha. Ky i fundit po ashtu është lënë në arrest me burg.
/rtsh.al/