Pas disa javësh me bisedime, parlamenti i Malit të Zi votoi të martën qeverinë e re, koalicionin e partive proevropiane dhe proserbe, që pritet të udhëheqë vendin në përpjekjen për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Qeveria e re udhëhiqet nga ekonomisti Milojko Spajiq i Lëvizjes Evropa Tani dhe do të ketë 18 ministri dhe 5 zëvendëskryeministra. Koalicioni përfshin demokratët proevropianë të qendrës së djathtë, Partinë Socialiste proserbe dhe pesë parti të pakicës shqiptare.
"Katër përparësitë tona kryesore të politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në BE, anëtarësimi aktiv dhe i besueshëm në NATO, përmirësimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe forcimi i rolit të vendit në organizata shumëpalëshe," deklaroi Spajiqi para deputetëve.
Ai tha se politikat ekonomike do të synojnë të përmirësojnë standardet e jetesës së rreth 620 mijë banorëve të Malit të Zi dhe premtoi më shumë të ardhura fiskale, investime, një klimë më të mirë biznesi dhe drejtësi më të fortë.
Pas një debati që zgjati deri pas mesnatës, qeveria u mbështet nga 46 prej 81 deputetëve që numëron parlamenti malazias.
Aleanca proserbe dhe proruse "Për një Mal të Zi Më të Mirë", e udhëhequr nga Andrija Mandiq, ranë dakord të votojnë për kabinetin e Spajiqit në këmbim të pozitës së kryetarit të parlamentit dhe katër posteve ministrore.
/rtsh.al/