Ushtria siriane e presidentit Bashar al-Assad, thuhet se janë angazhuar në beteja të forta me grupet anti-regjim në periferi të qytetit të Hama. Sipas BBC, një grup monitoruesi raportoi se grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham dhe aleatët e tij kishin arritur pranë qytetit, por se ushtria siriane kishte arritur të rimarrë disa fshatra në një kundërsulm të mbështetur nga avionët luftarake ruso-siriane.
Mediat shtetërore të Sirisë njoftuan gjithashtu se forcat qeveritare e kishin shtyrë rebelët në veri të qytetit, por këta të fundit e mohuan humbjen e territorit. Këta të fundit shihen në një video duke festuar fitoren së bashku me kreun e tyre Ahmed Hussein al-Sara, i cili fshihej prej disa vitesh pasi SHBA kanë ofruar 10 milionë dollarë për kokën e tij. Qyteti Hama ndodhet 110 km në jug të Aleppos, të cilin rebelët e pushtuan një javë më parë, duke nisur një ofensivë të papritur nga bastioni i tyre veriperëndimor.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut SOHR raportoi për një numër të madh njerëzish të zhvendosur nga Hama, që ka rreth 1 milion banorë. Nga nisja e ofensivës, më shumë se 600 persona janë vrarë, përfshirë 107 civilë, thuajse të gjithë si pasojë e bombardimeve të ushtrisë siriane dhe asaj ruse. Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim të madh për intensifikimin e luftimeve dhe kanë paralajmëruar për një situatë shumë të rrezikshme.
/RTSH/