Etheve të zgjedhjeve të pritshme parlamentare të 11 majit iu shtuan edhe komentet nga deputetët për listat e kandidatëve që u publikuan një ditë më parë.
Në parlament, socialistët mbajtën qëndrimin e palëkundur se do të fitojnë më 11 maj. Po të njëjtin qëndrim mbajtën edhe deputetët e opozitës.
"Në këto zgjedhje, shqiptarët do të votojnë për ta bashkuar Shqipërinë me Europën. Ky është mandati ynë i katërt në qeverisjen e vendit. Është mandati historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Prandaj vota për partinë Socialiste më 11 maj është vota për Shqipërinë europiane," u shpreh ministri i Shtetit, Taulant Balla.
"Shpresoj dhe besoj fort që parlamenti i ardhshëm do të jetë më produktiv, më i saktë dhe me dashamirësinë që kam për kolegët e mazhorancës, duhet ta them që Shqipëria do të ndryshojë në zgjedhjet e 11 majit. Opozita e bashkuar do të triumfojë në këto zgjedhje," u përgjigj demokrati Ramadan Likaj.
"Rama është maniak i ndryshimit. Sali Berisha është maniak i prapakthimit. Prandaj shqiptarët do të votojnë me shumicë Partinë Socialiste dhe do i japin dërrmën kësaj opozite," deklaroi deputeti Petro Koçi.
Megjithatë një propozim i veçantë erdhi nga ligjvënësi socialist.
"Unë qofsha i gabuar! Lista e hapur në nivel rajonal do të kthehet në varrin moral të politikës. Nuk duhet ta kishit bërë dhe unë uroj që parlamenti i ardhshëm për zgjedhjet e ardhshme ta ndryshojë ligjin," tha z. Koçi.
"Unë kam thënë që ky sistem është krijuar për të mbrojtur figurat politike. Ky ka qenë thelbi. Siç e aplikojnë shtetet e tjera. Megjithatë Edi Rama, kryetari i partisë, është njeri që guxon, eksperimenton dhe kjo formulë mund të jetë shumë e suksesshme dhe pse jo, të arrijmë një rezultat më të mirë sesa herët e tjera. Damian Gjiknuri ka 17 vjet në politikë. Të gjitha fushatat i ka fituar," tha Damian Gjiknuri, i cili për këto zgjedhje garon në Vlorë në listën e hapur.
"Do të bëhen pishman që po e shndërrojnë një pjesë të Partisë Demokratike, një pjesë të opozitës, në një garnizon. Po e mumifikojnë njësoj si garda që shkonte bashkë me faraonin e vdekur në piramidë. Po mumifikojnë një pjesë të opozitës, por sigurisht nuk ia dalin të mumifikojnë votën opozitare," deklaroi Lulzim Basha, drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik.
Replikat në sallë nuk munguan, por ato ishin në nivel individual, duke shmangur komentet që i çojnë në përplasje palët si në seancat e kaluara.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/