RTSH 24 Live

Sociale

Liqeni rikthen izolimin në Breglum, banorët: Jemi lodhur nga situata, nuk shpërngulemi dot!

15/05/2024

Liqeni rikthen izolimin në Breglum, banorët: Jemi lodhur nga situata, nuk shpërngulemi dot!

Liqeni i Fierzës ka shkuar në kuotën maksimale, kjo e mirëpritur për situatën hidrike të kaskadës së Drinit nga ku prodhohet energjia por jo për banorët e Breglumes në Kukës. Shtëpive në pjesën fundore të lagjeve Hallaçi e Kovaçi uji u ka ardhur te dera.

Rruga automobilistike është përmbytur në një gjatësi të paktën 300 metra. Kanë mbetur të izoluar e për t’u lidhur me pjesën tjetër të fshatit por edhe me qytetin përdorin një rrugë alternative në pyll.

Tërësisht e papërshtatshme gjithsesi detyrohen ta përshkojnë çdo dite jo vetëm për nevojat familjare por edhe për fëmijët në shkollë.

 Të mbjellat në kopshte janë detyruar ti shkulin ende pa hyre në prodhim. Uji ka përmbytur edhe tokat e mbjella me grurë, misër, vreshtat e livadhet. Por kryesorja për ta është shëndeti. Po rrezikohen nga mbetjet që sjell liqeni.

Janë këto faktorë që kanë ndikuar në shpopullimin dhe braktisjen e fshatit. Dikur më shumë se 40 shtëpi kishte kjo lagje e sot kanë mbetur vetëm tri. Pjesa tjetër e shtëpive të braktisura po kthehen në gërmadha.

Hyseni dhe Kreshniku, dy kryefamiljarët ndër tre që kanë mbetur, nuk kanë mundësi ekonomike për t’u larguar nga fshati.

Nuk kanë reshtur prej 34 vitesh me shkresa e kërkesa, përfshirë edhe protesta për të gjetur zgjidhje, aq sa e ndjejnë veten të lodhur e të pashpresë.

Bregluma, është njeri prej 33 fshatrave të Kukësit, Hasit, Tropojës e Pukës,  të përmbytura nga ujërat e liqenit të Fierzës bashkë me qytetin e Kukësit të Vjetër. Pas viteve 90, nisur dhe nga protestat e banorëve, pronat e të cilëve janë përmbytur nga këto ujëra, një pjesë e tyre u dëmshpërblyen fizikisht me toka bujqësore  e troje në zonën e kënetës në Durrës, por edhe në Lezhë e Lushnje. Pjesa tjetër ende pret zgjidhje.

/RTSH/