Synohet një qeverisje më e mirë e kompnaive dhe mbrojtje më e madhe e konsumatorit
Pas 10 vitesh në fuqi, ligji që rregullon veprimtarinë në tregun e sigurimit dhe risigurimit ka mbërritur në tryezën e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për ndryshime.
Ndërhyrjet ligjore janë hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe synojnë përafrimin dhe harmonizimin e mëtejshëm me parimet dhe standardet më të mira europiane.
"Nëpërmjet këtij akti synohet forcimi i organeve drejtuese dhe funksioneve kryesore të shoqërive të sigurimit, përmirësimi i kornizës rregullatore për mbikëqyrjen e grupeve të sigurimit, rregullimi i procedurave për administrimin e përkohshëm të shoqërisë së sigurimit dhe për likuidimin vullnetar dhe të detyrueshëm," u shpreh Helda Mitre nga INSTAT.
Ndryshim tjetër ne projektligji është edhe ai në lidhje me zgjerimin e shkallës së informimit dhe transparencës për konsumatorin.
"Projektligji parashikon zgjerimin e kërkesave për informim dhe transparencë në kuadër të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe përafrimit me direktivat 2016/97 për shpërndarjen e sigurimeve," tha deputetja Pranvera Resulaj.
Ndryshimet do të krijojnë kushtet që konsumatorët të lidhin kontrata nëpërmjet internetit.
Projektligji gjithashtu parashikon nocionin e ndërmjetësit si ofrues i sigurimeve ndihmëse.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/