Si komandant i një prokure të al-Qaedas në luftën civile të Sirisë, Abu Mohammed al-Golani ishte figurë nën hije që qëndronte larg syrit të publikut, madje edhe kur grupi i tij u bë fraksioni më i fuqishëm që lufton kundër presidentit Bashar al-Assad.
Sot, ai është kryengritësi më i njohur i Sirisë, duke dalë gradualisht në qendër të vëmendjes që nga shkëputja e lidhjeve me al-Qaedan më 2016, duke e ribrenduar grupin dhe duke dalë si de fakto udhëheqës i Sirisë veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Transformimi ka dalë në pah që nga kapja e qytetit Aleppo javën e kaluar nga rebelët e udhëhequr nga grupi Hauat Tahrir al-Sham (HTS), i njohur më parë si Fronti Nusra, me Golanin në qendër të vëmendjes dhe duke dërguar porosi me qëllim të sigurimit të pakicave siriane, të cilët për një kohë të gjatë kanë pasur frikë nga xhihadistët.
Përderisa rebelët hynë në Aleppo, që para luftës ishte qyteti më i madh në Siri, në një video shfaqet Golani në rroba ushtarake duke dhënë urdhra përmes telefonit, duke ua sjellë ndër mend luftëtarëve udhëzimet për t’i mbrojtur njerëzit dhe duke ua ndaluar hyrjen nëpër shtëpi.
Të mërkurën, ai e vizitoi kalanë e Aleppos, i shoqëruar nga një luftëtar që po valëviste një flamur sirian të revolucionit – dikur i cilësuar nga Nusra si simbol i braktisjes së fesë, por rishtazi i pranuar nga Golani, shenjë ndaj opozitës më tradicionale të Sirisë.
“Golani ka qenë më i zgjuar se Assadi. Ai është i ripërpunuar, i rimodeluar, ka bërë aleatë të rinj dhe ka dalë me ofensivën e tij të hijshme” para pakicave, tha Joshua Landis, ekspert për Sirinë dhe drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Universitetin e Oklahomës.
Golani e kishte dhënë intervistën e parë për media më 2013, me fytyrën e mbështjellë me shall të zi dhe duke ia treguar kamerës vetëm shpinën. Duke folur për televizionin “Al Jazeera”, ai bënte thirrje që Siria të qeverisej sipas ligjit të sheriatit.
Rreth tetë vjet më vonë, ai u ul për intervistë me programin e transmetimit publik amerikan, “Frontline”, duke dalë me fytyrë para kamerës, i veshur me këmishë e xhaketë.
Golani tha se cilësimi i organizatë terroriste për grupin e tij ishte i padrejtë dhe se ai e kundërshton vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
Ai tregoi se si Fronti Nusra ishte zgjeruar nga gjashtë burra, që e shoqërorin atë nga Iraku, në pesë mijë brenda një viti.
Sidoqoftë, Golani tha se grupi i tij nuk ka paraqitur kurrë rrezik ndaj Perëndimit. “Përsëris – përfshirja jonë me al-Qaedan ka përfunduar dhe madje edhe kur ishim me al-Qaedan, ne ishim kundër kryerjes së operacioneve jashtë Sirisë dhe është tërësisht kundër politikës sonë që të kryhen veprime të jashtme” – tha ai
Në një mesazh për banorët e një qyteti të krishterë në jug të Alepos, Golani tha se ata do të mbroheshin dhe do të mbroheshin pronat e tyre, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të refuzojnë "luftën psikologjike" të qeverisë siriane.
"Ai është me të vërtetë i rëndësishëm. Udhëheqësi kryesor rebel në Siri, islamisti më i fuqishëm," tha Lund.
Ai tha se HTS kishte shfaqur "kapacitetin logjistik dhe qeverisës" duke sunduar territorin e vet në Idlib për vite me rradhë.
"Ata kanë adoptuar simbolet e kryengritjes më të gjerë siriane... të cilat tani i përdorin dhe përpiqen të pretendojnë trashëgiminë revolucionare - se 'ne jemi pjesë e lëvizjes së 2011, njerëzit që u ngritën kundër Asadit dhe ne jemi gjithashtu islamikë."
/rtsh.al/