RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kundërshton zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

02/06/2024

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kundërshton zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se shumica e re parlamentare mes partisë fituese të zgjedhjeve, VMRO DPMNE, dhe koalicionit VLEN, i cili përbëhet nga katër parti shqiptare, “nuk përfaqëson legjitimitetin” e shqiptarëve nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Ahmeti pretendon se në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut gara zhvillohet ndërmjet partive të dy grupeve më të mëdha etnike dhe se fituesit e zgjedhjeve te komuniteti maqedonas dhe ai shqiptar duhet t'i formojnë institucionet e reja.

”Konstatojmë patjetërsueshmërinë e zbatimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut... Partnerët e koalicionit qeverisës duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitimë të komuniteteve të tjera të shprehur në zgjedhje të lira dhe demokratike. Kjo është e drejtë zakonore e zbatuar në vendin tonë, që mundëson legjitimitet, demokraci funksionale, kohezion shoqëror, konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje”, ka tha Ahmeti duke e lexuar deklaratën e miratuar nga partitë e Frontit Evropian.

Por VLEN thotë se BDI-ja nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare, pasi pjesë e Frontit Evropian ishin edhe katër parti të entiteteve tjera në Maqedoninë e Veriut që fituan vota në emër të koalicionit në zgjedhjet parlamentare.

/rtsh.al/