Me rastin e 95 - vjetorit të lindjes, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Janullatos, mori urime të shumta nga personalitetet e Shtetit Shqiptar.
Sipas njoftimit për shtyp, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ndër të tjera i uroi shëndet për të vazhduar misionin në krye të Kishës dhe shprehu mirënjohje e falënderime për kontributet e çmuara në rindërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjithashtu, urime u përcollën nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetë e ministra, kryetari i Komitetit Shteteror të Kulteve, Bulku; Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo dhe drejtues të tjerë lokal; trupi diplomatik; personalitete të shquara të vendit nga fusha e artit, akademikë etj.
Nuk munguan urime të përzemërta edhe nga krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri dhe Këshilli Ndërfetar, si dhe krerë të Kishave të tjera Ortodokse simotra në botë, p.sh. Patriarku i Rumanisë, Danieli etj.
“Të shumta janë urimet nga i gjithë populli besimtar ortodoks i Shqipërisë, klerikë e laikë, të cilët shprehën urimin për jetë të gjatë plot shëndet, si dhe mirënjohje e falënderime për punën misionin, vizionin plot përkushtim ndaj ri ngritjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/rtsh.al/