SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim grupin kriminal prej 9 anëtarësh, të cilët akuzohen për kontrabandë mallrash nga Franca në Shqipëri. SPAK kërkon 86 vite burg për anëtarët e këtij grupi kriminal, ku pjesë ishte edhe ish-shoferi i Ardi Veliut, Sokol Idrizaj dhe familja e tij, të cilët akuzohen për kontrabandë mallrash, mos deklarim të ardhurash, pastrim parash dhe ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare.
Në maj të vitit të kaluar anëtarët e këtij grupi kriminal, u akuzuan nga SPAK se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga Franca drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashara në Tiranë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, dhe se paratë e padeklaruara dhe shitjet kontrabandë janë zbuluar përmes transaksioneve bankare. Sipas SPAK mallrat kontrabandë kapin shifrën e 2.1 milionë eurove.
Seanca për këtë dosje do të zhvillohet më 19 nëntor në orën 12.30, ku të pandehurit përfitojnë gjykim të shkurtuar.
SPAK kërkon konkretisht:
-12 vite burg për Sokol Idrizaj
-12 vite burg për Elda Idrizaj (bashkëshortja e tij)
-10 vite burg për Egi Idrizaj (i biri)
-6 vite burg për Bora Idrizaj (e bija)
-12 vite burg për Agustin Mesuli
-12 vite burg për Altin Doda
-10 vite burg për Florian Baku
-6 vite burg për Vangjush Kasharrën
-6 vite burg për Tmorr Barutin
/rtsh.al/