RTSH 24 Live

Europë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban bënë deklaratën e fortë: Ukraina nuk është më shtet sovran

17/04/2024

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban bënë deklaratën e fortë: Ukraina nuk është më shtet sovran

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, folës kryesor në një mbledhje në Bruksel të politikanëve dhe mbështetësve ndërkombëtarë të së djathtës ekstreme ka thënë se Ukraina nuk është më një shtet sovran.

Sipas tij Ukraina do të shuhej si shtet nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndihmonin, raporton “Associated Press”.

“Ukraina nuk është më shtet sovran. Ukraina tani është vetëm protektorati i Perëndimit. Pra, pa paratë dhe armët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Ukraina si shtet do të pushonte së ekzistuari. Kështu që nuk është më një shtet sovran”, ka deklaruar kryeministri hungarez.

Ai kritikoi politikën e BE-së për klimë dhe rregullat e bujqësisë që ai tha se i kanë lënë fermerët në vështirësi të mëdha. Ai tha se "kriza e emigracionit" në Evropë tani është më e madhe se kurrë.

“Kuptimi i këtyre zgjedhjeve evropiane është: ndryshoni lidershipin”, tha Orbán para një auditori prej rreth 200 personash, ndërsa fushata nxehet për votimet në mbarë Evropën më 6-9 qershor . “Nëse udhëheqja rezulton të jetë e keqe, ajo duhet të zëvendësohet. Kjo është kaq e thjeshtë,” tha lideri populist i krahut të djathtë, duke duartrokitur.

Orban ka thënë po ashtu se Rusia nuk do ta lejojë asnjëherë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, gjë të cilën e cilësoi madje si arsyen e luftës.

“Arsyeja e luftës është shumë e thjeshtë. Quhet anëtarësim në NATO. Dhe si një vend që u pushtua nga rusët për 45 vjet, mund të them nga përvoja personale se rusët nuk do të lejojnë kurrë anëtarësimin e Ukrainës siç është tani në NATO. Ata do të bëjnë gjithçka për të pasur diçka midis kufirit rus dhe kufirit të vendeve të NATO-s”, ka shtuar ai.

Ukraina ka aplikuar për t'u bashkuar në BE dhe NATO, por nuk ka gjasa që ajo të lejohet ta bëjë këtë ndërkohë që lufta vazhdon .

/rtsh.al/