RTSH 24 Live

Politikë

Kryebashkiakja Memaj: Më ka ngelur peng ngritja e teatrit. Dimali ka potenciale për zhvillim

12/02/2024

Kryebashkiakja Memaj: Më ka ngelur peng ngritja e teatrit. Dimali ka potenciale për zhvillim

Kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Memaj ka dhënë një intervistë “ndryshe” për “Mirëmëngjesi Shqipëri”, ku ka rrëfyer gjithçka, nga mandati i tretë, të marrëdhënia me Kryeministrin Edi Rama, investimet, pengu që i ka mbetur dhe familja.

Memaj ka deklaruar se Dimali i 2024-ës është tejet ndryshe nga ai i 10 viteve më parë. Ajo bëri me dije të gjitha investimet e kryera, që nga infrastruktura rrugore, fasadat, sistemin kapot të ndërtesave, ndërtimin e shkollave të reja, qendrave shëndetësore, etj.

“Sot Dimali është i jetueshëm. Sot që flasim kemi në përfundim gjithë infrastrukturën rrugore edhe në lagjet e qytetit. Kemi një punë të mirë edhe për fasadat, sistemin kapot të ndërtesave, urën që do lidhë dy lagjet, një investim shumë i pritshëm për qytetin. Pedonalja poshtë që është investim i qeverisë.

Janë punë të pakryera me vite me radhë dhe ne kemi arritur që t’i ezaurojmë. Nuk ka më përmbytje në qytetin tonë që me krijimin e  digës për mbrojtjen e përmbytjes së qytetit. Edhe me sistemet e kanaleve kulluese kemi bërë një punë shumë të mirë. Që në shtator 2015 nuk kemi më përmbytje në zonë.

Kemi gati 90% të lidhjes së rrugëve rurale nga Qendër fshati-Rrugë nacionale. Në buxhetin afatmesëm përfundojmë edhe dy rrugë që se kanë këtë lidhje dhe shkojmë gati në 99% të lidhjes Qendër fshati-Rrugë nacionale.

Kemi ndërtuar 10 shkolla të reja, 4 qendra shëndetësore dhe 7 ambulanca të reja. Fokusi ka qenë i përqendruar në çdo fushë përgjegjësie. Buxheti të mos shpenzojë për paga dhe shpenzime operative, por ndarja që bëmë që 30% e buxhetit të shkojë për investime ka funksionuar shumë mirë”, tha Memaj.

Kjo e fundit sqaroi edhe se si u mor vendimi për ndryshimin e emrit nga Ura Vajgurore në Dimal.

“Vetë emri Ura Vajgurore ka qenë një emër jo shumë i pëlqyeshëm për shumë arsye. Ka qenë emërtim i vendosur nga komiteti ekzekutiv i asaj kohe, më 1974, dhe kishte humbur kuptimin për shkak se rezervat e vajgurit në territor janë ezauruar.

Na ka lindur ideja për ndryshimin e emërtimit sepse ne kishim edhe një thesar shumë të çmuar në territor siç është Sajti Arkeologjik i Dimalit.

Iniciativa për ndryshimin e emërtimit mori një periudhë kohe. Bashkë me shumë intelektual të zonës ne vendosëm të ndryshonim dhe emrin. Ishte një proces i gjatë sepse kërkonte dhe konsultimin me publikun.

Ne nuk e nisëm menjëherë me ndryshimin e emërtimit. Patëm një periudhë që u morëm me rijetëzimin e artefakteve në Dimal”, sqaroi ajo.

Lidhur me skepticizim e bazës dhe qytetarëve për qeverisjen e bashkisë nga një grua, Memaj rrëfen se nuk e ka kompleksuar asnjëherë.

Ajo solli në kujtesë edhe një situatë komike gjatë fushatës së 2015-ës.

“Pata fatin të kandidoj në 2015 nga PS. Shumë nga baza ishin skeptikë se si ne do na përfaqësoj një femër. A do mundet kjo vallë të realizojë këtë mision?

Në një takim që kemi patur në fushatë, përveç dialektikës që kemi pasur me përfaqësuesit e zonës përkatëse në atë kohë, ishte një zotëri me mustaqe që thotë: “Kjo vajza do na qeverisi ne?”

Nuk më komplekson. Unë e njihja pushtetin vendor, kam qenë pjesë e administratës publike, juriste në bashkinë që punoj sot”, shtoi Memaj.

Kryebashkiakja rrëfeu se ngritja e teatrit të qytetit është një prej pengjeve të saj. Memaj rrëfeu se Teatri dhe Diga ishin dy prej projekteve të saj të para, dhe në lidhje me Teatrin ajo garantoi se do e përmbushë qëllimin e saj.

Jam përpjekur të jap maksimumin. Më ka ngelur peng ngritja e teatrit të qytetit. Projekti i parë që kam hartuar ka qenë teatri dhe diga. Diga u realizua menjëherë. Projekti i teatrit duke qenë se kap vlerën 3 mld lekë, nuk ka qenë e mundur të realizohet me të ardhurat tonë. Kemi pasur kërkesa pranë Fondi Shqiptar të Zhvillimit. Besoj se do e realizojmë edhe atë shumë shpejt.

Me buxhetin afatmesëm kemi vendosur të ndërtimin e godinës së bashkisë. Kjo është pjesë e këtij buxheti afatmesëm dhe ne do e përfundojmë edhe godinën dhe bashkia Dimal do ketë një godinë bashkëkohore që do u shërbejë qytetarëve”, tha ajo.

Pyetur për marrëdhënien me Kryeministrin Rama, Memaj u shpreh se janë krejtësisht korrekte.

Marrëdhëniet janë korrekte. Janë institucionale. Gjithçka është ok. Të dyja palët janë korrekte në pjesën e kuadrit ligjor në fuqi.

Unë si natyrë nuk jam xheloze. Mes përfaqësuesve të qeverisjes vendore ka dikush që spikat më shumë a më pak”, përfundoi ajo.

Kryebashkiakja Memaj u shpreh më tej se Dimali ka potenciale për zhvillim.

“Që në hartimin e strategjisë sonë të zhvillimit më 2015-ën, i kemi prekur elementët kryesore që të bëjmë të mundur që potencialet që kemi të kemi vizitorë. Kemi sajtin arkeologjik të Dimalit, ne kemi bërë një projekt studim fizibiliteti për zonën dhe me implementimin e atyre dy projekteve që në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës do të mund t’i realizojmë ato.

 Edhe vetë historiku i këtyre muraleve rijetëzon sajtin. Edhe për llixhat, kemi përfunduar fazën e parë të llixhave. Në llixhat që kemi rehabilituar vijnë shumë nga Berati e Kuçova.

Ne kemi edhe një gastronomi shumë të mirë me të cilat mund të mburremi. Zona jonë është intensive bujqësore me eksportet më të mëdha të perimeve në gati 70 mijë tonë perime dalin në vit dhe nga statistikat që kemi 25% e eksporteve janë nga zona jonë”, tha ajo.

/rtsh.al/