RTSH 24 Live

Politikë

KQZ- Numërimi i votave të diasporës, PD-PS nuk arrijnë konsensus, shtyhet vendimi

30/12/2024

KQZ- Numërimi i votave të diasporës, PD-PS nuk arrijnë konsensus, shtyhet vendimi

Në mbledhjen e ditës së hënë të Komisionit Qendror Zgjedhor, mbi rregullat për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë, dokumentacionin përkatës dhe mënyrën e plotësimit të tij, si dhe tabelimin e rezultatit të votimit nga jashtë, pati debate mes përfaqësuesve të forcave politike, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Vendimi i paraqitur në Komisionin Rregulltar nga Kryekomisioneri, Ilirian Celibashi, parashikon që vota e diasporës të numërohet nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Vendimi pritej të miratohej nga PS- PD, por palët nuk gjetën dakortësinë. Vendimi u shty për vitin 2025.

Ilirjana Nano, kryetare e Komisionit Rregullator pranë Komisionit Qendror Zgjedhor sqaroi se ky propozim i Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, është bazuar në Kodin Zgjedhor, ku thuhet se zarfet me vota nga jashtë, numërohet nga administrata e KQZ.

Por, PD kërkoi që votat nga jashtë, të trajtohen njësoj me votat brenda vendit, kurse PS nuk është kundër numërimit nga KQZ, por ka vërejtje për vëzhguesit e partive dhe rolin e tyre në proces.

“Në asnjë germë nuk i jepet leje kreative KQZ-së që të shpikë një proces të ri, teksa Kodi Zgjedhor ka rregulla për të gjithë procesin. Nuk jeni të autorizuar të shpikni procedurë krejt të re, ndryshe nga ajo e shqiptarëve që votojnë brenda vendit. Të jetë e njëjtë si brenda vendit”, tha Kaso.

Ilirjana Nano, kryetare e Komisionit Rregullator, u shpreh se “PS e PD duhet t’i kishin sjellë mendimet me shkrim. Janë pyetur në 12 nëntor”.

PS dhe PD kanë të drejtë të përjashtojnë numërues dhe komisionerë të caktuar nga KQZ për vlerësimin dhe numërimin e votës së diasporës, por këtë të drejtë mund ta ushtrojnë vetëm një herë. Palët patën rezerva se kush do të jenë numëruesit, si dhe mbi vendin se ku do të kryhet ky proces, pasi dalja e kutive për tu numëruar në një ambient jashtë selisë së KQZ-së, ju dukej e dyshimtë.

Elena Xhina, Përfaqësuese e PS tha se, ka kapërcim të termave, sepse, sipas saj, “shikoj përshembull përdorimin e termave anëtarë vëzhgues, por po flasim për pjesë në parim.”

Mungesa e dakordësisë bëri që mbledhja e Komisionit Rregullator të mbyllej pa vendimmarrje dhe për vendndodhjen se ku do të numërohen votat e diasporës

Projektvendimi i KQZ i cakton Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike vetëm rol vëzhguesi në tavolinat ku do të hapen zarfet që vijnë nga diaspora, ndërkohë që numërimi i votave nga jashtë i lihet në dorë njerëzve jo politikë, të cilët do të përzgjidhen nga KQZ.

/rtsh.al/