RTSH 24 Live

Kosovë

Kosovë - Problemet me faqen e KQZ gjatë numërimit të votave, Radoniqi: Po presim raportin e hetimeve

8 orë para

Kosovë - Problemet me faqen e KQZ gjatë numërimit të votave, Radoniqi: Po presim raportin e hetimeve

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi, ka informuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me problemet që janë shfaqur me platformën elektronike të raportimit të rezultateve të zgjedhjeve. Sipas Radoniqit, KQZ-ja është duke pritur një raport përfundimtar nga institucionet e sigurisë, i cili do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara.

Në takimin me Presidenten Osmani, Radoniqi ka sqaruar se hetimet e institucioneve të sigurisë do të sigurojnë transparencë të plotë dhe se vetë KQZ po zhvillohet me vëmendje të shtuar për të garantuar përputhshmërinë e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit.

“Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, KQZ menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja  është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme”, është shprehur Radoniqi.

Nga ana tjetër presidentja Osmani ka kërkuar që të merren të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur integritetin e procesit zgjedhor dhe ka insistuar që çdo votë të rikonfirmohet edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.

Problemet me uebfaqen e KQZ-së u shfaqën gjatë nisjes së procesit të numërimit të votave më 9 shkurt, ku zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u shpreh se të dhënat po mblidheshin nga terreni dhe më pas do të publikohen në faqen e KQZ pas rregullimeve të problemeve teknike.

Dyshohet se kjo ndodhi për shkak të mbingarkesës në sistem, megjithatë për çështjen ka nisur edhe një hetim nga organet kompetente.

/rtsh.al/