RTSH 24 Live

Rajon

Kosovë, dita e e tetë e bllokadës në kufi, ndërkombëtarët thirrje për ulje të tensioneve dhe dialog

27/09/2021

Kosovë, dita e e tetë e bllokadës në kufi, ndërkombëtarët thirrje për ulje të tensioneve dhe dialog

E hëna e 27 Shtatorit është dita e e tetë qëkur rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë janë bllokuar. Rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.
 Protestat filluan pasi Prishtina vendosi që të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi. 
Të shtunën, më 25 shtator, dy incidente janë shënuar në dy komuna në veri të Kosovës. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil. Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtyre dy incidenteve. 
Nga ana tjetër ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për uljetë tensioneve dhe dialog. Ndërkohë, të dielën, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit se po punojnë bashkërisht me Bashkimin Evropian dhe NATO-n lidhur me këtë situatë. “SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it. 
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulin tensionet në veri të Kosovës. Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.